Komisioni për Kthim dhe Komunitete miraton tri Projektligjet për FSK-në

Prishtinë | 30 Nën 2018 | 10:57 | Nga Emine Shehu Shkarko Videon HD

Për ta shkarkuar videon ju lutem kyçuni ose regjistroni një llogari të re!

| Regjistrohu

Komisioni për të Drejtat, Interesat e Komuniteteve dhe për Kthim, ka miratuar tri Projektligjet për FSK-në.

Anëtarët e Komisionit me shumicë votash miratuan Projektligjin për Ministrinë e Mbrojtjes, për FSK-në dhe atë për Shërbimin në FSK.

Kjo erdhi pas kërkesës së nënkryetarit, Xhelal Sfeçla, për të futur në rend dite këto tri projektligje për FSK-në, raporton Ekonomia Online.

Megjithëse u votuan me shumicë për, pati edhe diskutime mes anëtarëve të këtij komisioni.

Deputeti, Veton Berisha, propozoi që në amendamente të bëhen ndryshime dhe plotësime.

“Propozojë që në nenin 5, pas fjalës të shtetasve të Kosovës të shtohen edhe grupet e komuniteteve. Të fshihet shpjegim për amendamentin.  Normal që kemi besim në institucione dhe kryeministra. Është mirë të shtohet minimumi 10% i komuniteteve në pjesëmarrjen e FSK-së. Duhet të mbetet një prag që e garanton 10% të forcës së sigurisë. Është mirë të planifikohet kjo pjesë. Kjo duhet të rregullohet me ligj”, tha ai.

Mendim të njëjtë shfaqën edhe anëtarët, përfaqësues të komuniteteve të tjera.

Deputetja, Duda Balje, ka thënë se nga pjesëmarrja më e madhe e komuniteteve, janë serbët ndërkaq të tjerat më pak.

“Ne kemi kërkuar një listë të komuniteteve që janë brenda FSK-së. Deri tash nuk kemi marrë përgjigje. Jemi gati të sigurt se cili vend është i definuar për komunitet, më shumë janë serbët. Ne kemi tash nevojë ta sigurojmë veten me ligj. Ne jemi për ta formuar ushtrinë e Kosovës dhe të jetë ushtri multietnike. Kemi nevojë për përkrahje edhe nga ana juaj”, ka thënë ajo, raporton EO.

Edhe deputeti, Danush Ademi pati të njëjtën kërkesë.

“Komunitetet tona nuk përfaqësohen as 2%. Unë ndoshta e përfaqësoj komunitetin më të madh në Kosovë, megjithatë përfaqësojmë pjesën më të vogël. Duhet ti kërkojmë të drejtat tona të këtij komuniteti që përfaqësojmë. Duhet ta kemi numër të barabartë, sa janë nga komuniteti serbë edhe nga komunitetet e tjera. Jo të marrim vetëm një përqindje”, tha Ademi.

Deputeti i LDK-së, Kujtim Shala tha se këto që po kërkohen nga anëtarët, nuk mund të ndihmohen nga ky komision për shkak se nuk është funksional.

“Ne mund të dërgojmë në seancë si vërejtje ose kolegëve ti drejtohen komisionit funksional sepse ky komision nuk ka të drejtë të vendos”, tha Shala.

Por, deputetja Duda Balje, tha se ajo çka duan është vetëm përkrahja.

“Ne kemi nevojë vetëm për përkrahjen tuaj, nuk duam me vendosë diçka”, tha ajo.

Ndërkaq, deputeti Veton Berisha propozoi që të plotësojnë  amendamentet dhe në komision funksional të vendoset a do të votohet apo jo.

Komisioni votoi për të dërguar në seancë gjashtë projektligjet e parapara për sot:

– Projektligjin për Mbrojtjen e të Dhënave Personale me raport amendamente të Komisionit funksional për Punët të Brendshme, Siguri dhe Mbikëqyrje të FSK-së.

-Projektligjin për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit nr. 2003/24, Ligji i Sportit, i ndryshuar dhe plotësuar me Ligjin 04/L-075 për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit nr. 2003/24 për Sport me raport amendamente të Komisionit funksional për Arsim, Shkencë, Teknologji, Kulturë, Rini, Sport, Inovacion dhe Ndërmarrësi.

-Projektligjin për ndryshimin dhe plotësimin e ligjit nr. 05/L-090 për sponsorizime në fushën e kulturës, rinisë dhe sportit, me raport amendamente të Komisionit funksional për Arsim, Shkencë, Teknologji, Kulturë, Rini, Sport, Inovacion dhe Ndërmarrësi.

Projektligjin për ndryshimin dhe plotësimin e ligjit nr. 05/L-075 për parandalimin dhe sanksionimin e dhunës dhe dukurive negative në ngjarjet sportive, me raport amendamente të Komisionit funksional për Arsim, Shkencë, Teknologji, Kulturë, Rini, Sport, Inovacion dhe Ndërmarrësi.

– Projektligjin për statusin e punëtorëve të arsimit shqip të Republikës së Kosovës nga viti shkollor 1990/91 deri në vitin shkollor 1998/99, me raport amendamente të Komisionit funksional për Arsim, Shkencë, Teknologji, Kulturë, Rini, Sport, Inovacion dhe Ndërmarrësi

-Projektligjin për Këshillin Prokurorial të Kosovës, me raport amendamente të Komisionit funksional për Legjislacion, Mandate, Imunitete, Rregulloren e Kuvendit dhe Mbikëqyrjen e Agjencisë Kundër Korrupsionit.

 

 

Të ngjashme