Komisioni Parlamentar për Shëndetësi, Punë dhe Mirëqenie Sociale ka mbajtur mbledhjen e radhës në të cilën dy grupet punuese kanë raportuar për Projektligjin për transfuzionin e gjakut dhe atë për ndërmarrjet sociale.
Anëtarja e komisionit, Fatmire Kollçaku, shpjegoi punën që grupi punues ka bërë sa i përket çështjes së transfuzionit të gjakut.
Ajo tha se në grupin në të cilin ka marrë pjesë kanë diskutuar lidhur me atë se kush duhet të udhëheqë institutin e transfuzionit të gjakut, raporton Ekonomia Online.
Sipas saj, për të specializuar në transfuzionin e gjakut kanë propozuar që të mos jetë e detyrueshme që udhëheqësi i Institutit të transfuzionit të gjakut të jetë specialist.
Lidhur me këtë propozim është pajtuar edhe Time Kadrijaj.
“Le të ngelet ashtu siç është në Ligjin për inspektoriatin, le të jetë mjek por me mundësi që me qenë specialist”.
Ndërsa sa i përket grupit punues për ndërmarrje sociale, kryetarja e komisionit, Besa Baftiu, prezantoi rrjedhën e punës së komisionit lidhur me këtë projektligj.
“Ky projektligj ka kalu në seancë në vitin e kaluar, por ne si komision i kemi pasë dyshimet tona, prandaj këto vonesa kanë një arsye. Gjatë kësaj periudhe kemi bërë një dëgjim publik, më pas kemi bërë një vizitë studimore në Shqipëri”.
Deputeti Haxhi Avdyli e cilësoi të rëndësishëm këtë projektligj, raporton EO.
“Ky ligj është shumë me rëndësi për t’u aprovuar, sepse hap një dritare për të rinjtë, për grupet e margjinalizuara. Janë dy kategori ku bën ofrim të shërbimeve për grupet e margjinalizuara dhe grupi tjetër ku bën veprimtari ekonomike por ka për detyrë 30% të margjinalizuarve”.
Në fund të komisionit, anëtarët e tij propozuan çështje të cilat duhet të trajtohen në këtë komision.
Raportimi i ministrit të Punës dhe Mirëqenies Sociale, Skender Reçica, atij të Ministrisë së Shëndetësisë, Uran Ismaili, dhe përfaqësuesve të Odës së Mjekëve ishin vetëm disa nga planet e komisionit deri në përfundim të këtij sezoni.