Kompensimi i Viktimave të Krimit- Kosova lidere në rajon

Prishtinë | 19 Kor 2023 | 20:16 | Nga Ardian Bajraktari

Kompensimi i viktimave të krimit në Kosovë për herë të parë në Kosovë, është rregulluar me Ligjin nr. 05/L -036 për Kompensimin e viktimave të krimit, të vitit 2015.

Programi i kompensimit, ka filluar së zbatuari për herë të parë në vitin 2017, kur edhe janë paraqitur kërkesat e para për kompensim, dhe janë ndarë 5,500.00 euro, trendi i kërkesave dhe i mjeteve të ndara ka qenë gjithnjë në rritje, ku në vitin 2022, nga ky program janë kompensuar viktima me buxhet, afër 100,00.00 euro.

Duke u konsoliduar fondi për kompensim, u patë vlerësuar e nevojshme që të rishikohet ligji, për t’i eliminuar vështirësitë e hasura në praktikë, e me theks të veçantë për të rishikuar kriteret dhe afatet për kompensim, gjithnjë me qellim lehtësimit të kritereve zgjatjes së afatit për aplikim, por edhe përfshirjen e mekanizmave të rijnë. Ky proces rezultojë me hartimin dhe miratimin e ligjit të ri për kompensimin e viktimave të krimit, i cili u publikua dhe filloi së zbatuari në nëntor të vitit 2022.

Veprat e kompensueshme dhe kushtet

Për dallim nga ligji paraprak, sipas ligji të ri, vepra të kompensueshme (përveç veprave penale kundër sigurisë së trafikut publik), janë të gjitha veprat që rezultojnë në: vdekjen e viktimës, lëndim të rëndë trupor, dëmtim të rëndë të shëndetit fizik, apo, dëmtim të shëndetit mendor. Pra, është një ndryshim substancial nga numërimi takstativ i veprave, në atë se cilado vepër e cila rezulton me këto pasoja, e gjitha kjo në funksion të lehtësimit të këtyre kritereve dhe duke pasur në epiqendër viktimën.

Kompensimi i menjëhershëm

Mundësia e kompensimit të menjëhershëm është një nga elementet kryesore e cila ju mundësohet të gjitha viktimave: fëmijë, viktimave të trafikimit me qenie njerëzore, viktima të dhunimit, viktima të veprave penale që bien brenda përkufizimit të dhunës në familje, si dhe anëtarëve të familjes së viktimës së ndjerë.

Me këtë lloj kompensimi mbulohen shpenzimet e varrimit, shpenzimet e paguara nga viktima apo anëtari i familjes në emër të viktimës, përfshire por pa u kufizuar në kompensimi për lëndim fizik apo dëmtim të shëndetit, kompensimi për dëmtim të shëndetit mendor, kompensim për dëmtimin apo shkatërrimin e pajisjeve mjekësore, si dhe kompensim për shpenzime tjera të arsyeshme të cilat Komisioni vlerëson se mund të përfshihen në kompensim të menjëhershëm në lartësinë maksimale prej pesëqind (500) euro. Kompensimi për lëndim fizik apo dëmtim të shëndetit, kompensimi për dëmtim të shëndetit mendor, kompensim për dëmtimin apo shkatërrimin e pajisjeve mjekësore. Vlera e maksimale e kompensimit të menjëhershëm nuk mund të tejkalojë shumën prej tremijë (3000) euro.

E për përfitim nga kompensimi i menjëhershëm, përfshijnë, por pa u kufizuar, duhet të plotësohen këto kushte, si: vepra penale është kryer ndaj viktimës së ndjeshme; si dhe viktima është në gjendje të vështirë financiare; përfitues i ndihmës sociale ose në situatë të ngjashme.

Kompensimi i rregullt

Kërkesa e rregullt për kompensim, paraqitet pasi të përfundon procedura e rregullt gjyqësore, respektivisht pas plotfuqishmërisë së aktgjykimit. Për të kërkuar kompensim të rregullt, parashtruesi i kërkesës është i obliguar që të kërkojë fillimisht dëmshpërblim nga i pandehuri në procedurë penale.

Në rastet kur i pandehuri nuk e dëmshpërblen apo e dëmshpërblen pjesërisht viktimën, viktima ka të drejtë të parashtrojë kërkesë për kompensim. Po ashtu, ky kompensim mund të kërkohet edhe në rastet kur dëmshpërblimi nuk do të jetë i mundur të realizohet nga kryesi për shkak të rrethanave si në vijim: nëse vërtetohet se personi ka qenë viktimë, por: kryesi nuk është penalisht i përgjegjshëm, kryesi është i panjohur, ka vdekur, ka ikur dhe është i paarritshëm për organet e drejtësisë, kryesi është i paaftë të paguajë kompensimin, është përfitues i ndihmës sociale ose në situatë të ngjashme, kanë kaluar dy (2) vjet nga raportimi i veprës penale dhe nuk ka pasur ngritje të aktakuzës, është arritur parashkrimi relativ apo absolut. Vlen të theksohet se ka një rritje të ndjeshme të shumave të parapara për kompensim.

Dorëzimi i kërkesës dhe afatet

Kërkesa dorëzohet në Ministrinë e Drejtësisë, adresuar Njësisë përkatëse për mbështetje, Komisionit për Kompensim të Viktimave të Krimit, në njërën nga mënyrat: drejtpërdrejtë, me postë; apo me postë elektronike (e-mail), së bashku me dokumentacionin e kompletuar.

Një ndryshim thelbësor është edhe zgjatja e afatit për dorëzimin e kërkesës, nga 6 muaj sa ka qenë, është bërë 3 vite nga pranimi i aktgjykimit të plotfuqishëm, apo pranimit të njoftimit nga ana e parashtruesit për ekzistimin e rrethanave tjera të cilat e mundësojnë paraqitjen e kërkesës për kompensim.

Komisioni për kërkesën për kompensim të menjëhershëm, duhet të merr vendim brenda tridhjetë 30 ditësh nga dita e pranimit të dokumentacionit të plotë, kurse, për kërkesën për kompensim të rregullt 90 ditësh nga dita e pranimit të dokumentacionit të plotë.

Të ngjashme