Komuna e Mitrovicës ka njoftuar se është lëshuar për shfrytëzim parkingu për automjete afër Qendrës së Kulturës “ Rexhep Mitrovica”.
Drejtori për Infrastrukturë dhe Shërbime Publike në komunën e Mitrovicës ka njoftuar se parkingu ka kapacitet për mbi 100 automjete, ndërsa çmimi për parking është vetëm një euro pa marrë parasysh kohëzgjatjen e parkimit. Në njoftimin e komunës së Mitrovicës thuhet se është lëshuar për shfrytëzim të qytetarëve edhe parkingu i cili ndodhet ngjitur me tregun e gjelbër, përballë stadiumit të futbollit “ Rizah Lushta”, i cili ka kapacitet për parkimin e 200 automjeteve, ndërsa çmimi për parking është 30 cent për një orë.
Drejtori Muja, ka bërë apel tek qytetarët që të shfrytëzojnë këto mundësi dhe të mos parkojnë automjetet në trotuare.
“Duke pas parasysh këto mundësi dhe numrin e mjaftueshëm të vendeve për parkimin e automjeteve në parkingjet e lejuara nga autoritetet komunale, apeloj tek qytetarët që t’i shfrytëzojnë këto mundësi dhe të mos i parkojnë automjetet e tyre në trotuare dhe vende tjera ku nuk është e lejueshme, dhe ku pengohet qarkullimi i automjeteve dhe lëvizja e lirë e qytetarëve”, ka thënë Muja.
Komuna e Mitrovicës ka njoftuar se në koordinim me Policinë e Kosovës, do të merren masa ligjore ndaj të gjithë atyre që parkojnë automjetet në trotuare, në vende ku është e ndaluar, ku pengohet komunikacioni normal dhe lëvizja e lirë e qytetarëve.