Komuna e Mitrovicës ka thënë se Fidan Muharremi, pronar i ndërtesës 11 katëshe në rrugën “Bedri Gjina” kishte tërhequr aplikimin për leje ndërtimi, vetëm një muaj pasi kishte aplikuar.
Të shtunën, ky objekt pa leje nisi të rrënohej, ndërsa pronari Fidan Muharremi kishte thënë se ka pritur 7 muaj për një leje ndërtimi dhe ka shtuar se i ishin kërkuar 10 mijë euro ryshfet për vazhdimin e punimeve.
Përmes një njoftimi për media, komuna e Mitrovicës thotë se Muharremi kishte aplikuar për leje ndërtimi më 11.09.2015, por i ka tërhequr ato sërish një muaj më pas.
“Me rastin e shqyrtimit të aplikacionit zyrtarët e Drejtorisë së Urbanizmit kanë vlerësuar se projekti nuk i përmbush kriteret për lëshimin e lejes së ndërtimit, por kanë kërkuar nga ai që brenda në afati të caktuar të plotësoj dokumentet e nevojshme për tu pajisur me leje ndërtimi. Mirëpo, pronari Muharremi, më 08.10.2015 ka tërhequr aplikacioni (shihet nënshkrimi i pronarët) me arsyetim se pasi që të plotësoj dokumentacionin e kërkuar, do të aplikoj sërish për leje ndërtimi, por që më asnjëherë nuk ka aplikuar. Ky fakt tregon, se pronari Muharremi po e dezinformon opinionin dhe mediet, duke thënë se Komuna nuk i ka kthyer përgjigje në afatin ligjor, andaj edhe ka vazhduar punimet”, thuhet në njoftimin e komunës së Mitrovicës
Në njoftim theksohet se “inspektorët komunal i kanë lëshuar procesverbale për ndërprerjen e punimeve pa leje dhe i kanë vendos shiritat përkatës për të mos vazhduar punimet, por që pronari në vazhdimësi i ka larguar shiritat dhe ka vazhduar punimet pa, lejen e organit përkatës dhe ka bërë vepër penale, për çka inspektorët edhe kanë kërkuar nga Prokurori Themelore fillimin e proceduarve përkatëse për shkelje ligjore nga ana e pronarit Muharremi”.
Komuna e Mitrovicës thotë se i kishte tërhequr vërejtjen Muharremit qysh më 2016, dhe më pas kishte lëshuar aktvendim për rrënim dhe në katër raste tjera kishin lëshuar procesverbale për të mos vazhduar punimet.
“Meqë , pronari Muharremi nuk i ka përfillur të gjitha këto kërkesa zyrtare për ndërprerjen e punimeve pa leje, Komuna më 31.05.2018 ka marrë vendimin me dokumentin përkatës për rrënimin e objektit. Rrënimi ka filluar të shtunën, më 02.06.2018”, thuhet në njoftim.
Megjithatë, për këtë rrënim, komuna e Mitrovicës thotë se i duhet një plan i detajuar për shkak se objekti ndodhet në mesin e shumë objekteve të banimit dhe ekziston rreziku real për dëmtim të tyre. Rrënimi i sërishëm do të fillojë pas 15 ditësh.
Në fund të njoftimit, komuna e Mitrovicës ka thënë se do të fillojë edhe rrënimi i objekteve të tjera pa leje dhe se në asnjë mënyrë nuk do të lejohet kaos dhe paligjshmëri në fushën e ndërtimeve.