Në Kosovë vetëm disa komuna kanë normativë për veshjen e mësimdhënësve. Mungesa e një kodi etik dhe rregulli për veshje të mësimdhënësve ka bërë që një mësimdhënëse të dalë para nxënësve me shami duke shkaktuar kështu reagimin e prindërve
Kërkesa për largimin e mësimdhënëses e cila bart shami në shkollën fillore “Visar Krasniqi”, në Drenoc të Malishevës, ka rikthyer debatin nëse duhet lejuar apo jo shaminë në institucionet shkollore.
Sociologët kosovarë konsiderojnë se bartja e mbulesës nëpër shkolla është një dukuri shqetësuese, pasi Kosova është shtet demokratik, laik e jo shtet fetar.
Por për përfaqësuesit e Këshillit për Mbrojtjen e Lirive dhe të Drejtave të Njeriut një kërkesë e tillë është krejtësisht e pabazë dhe në kundërshtim me të drejtat e njeriut.
Kjo pasi që, sipas tyre, nuk ka asnjë ligj në Kosovë i cili e ndalon bartjen e mbulesës në institucionet publike. Ndërkaq, në Komunën e Malishevës kanë thënë se arsimtarja në fjalë është pranuar me procedurë krejtësisht të rregullt pasi i ka plotësuar të gjitha kriteret për punë. (Gazeta Zeri)