Shefi i Grupit Parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje, Glauk Konjufca, ka thënë se depërtimi i gjashtë shtetasve turq për në Turqi është kthim i paimagjinueshëm prapa për Integrimin Evropian të Kosovës dhe se konventat evropiane që aplikohen në vendin tonë janë shkelur, raporton Ekonomia Online.
“Si është e mundshme që në një aksion që dalin 3 figurat kryesore të shtetit, i cili ka pasoja fatale për shtetin e Kosovës, si është e mundur në shtetin tonë të ketë struktura paralele të veprojnë pa e ditur krerët. Ky është një kthim i paimagjinueshëm prapa për Kosovën, konventat evropiane të aplikueshme në Kosovë janë shkelur dje dhe nga institucionet e sigurisë. Si është e mundshme që raporti jonë i privatizuar nga turqit, të vijnë aeroplanë sekret dhe me thes në kry t’i kthejnë në Evropë. Në aspektin e integrimeve evropiane, është një gjë e pariparueshme, lejeni demarkacionin, zajednicën, akti i djeshëm është i pakthyeshëm për procesin e integrimit evropian të Kosovës”.
Konjufca ka thënë se Qeveria e Kosovës do të jetë përgjegjëse për çfarëdo që mund t’iu ndodhë shtetasve turq në Turqi.
“Përmes këtij akti Kosova do të bëhet drejtpërdrejt pjesëmarrëse në atë se çka do ju ndodh atyre në Turqi. Ju jeni bërë përgjegjës drejtpërdrejt edhe si Qeveri se çka ju ndodh atyre”.
Konjufca ka deklaruar se kjo nuk mund të mbyllet vetëm me shkarkimin e ministrit dhe drejtorit të AKI-së.
“Kjo nuk mund të mbyllet vetëm me shkarkimin e ministrit të MPB-së apo drejtorit të AKI-së, kjo shkon deri te udhëheqja e Qeverisë. Këtu dikush arrestohet me dhunë dhe secili prej figurave të larta politike don me i la duart prej kësaj ngjarje, nuk është mundshme, nuk eshtë kollaj.”