Konjufca: Kosova është e ulur në bankën e drejtësisë, në vend që të gjykohej Serbia – Kjo është padrejtësi

Skenderaj | 05 Pri 2023 | 15:29 | Nga Ekonomia Online Shkarko Videon HD

Për ta shkarkuar videon ju lutem kyçuni ose regjistroni një llogari të re!

| Regjistrohu

Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Glauk Konjufca,deklaroi se në vend që Serbia të gjykohej për gjenocidin ndaj popullit shqiptar, sot është Kosova që ndodhet e ulur në bankat e drejtësisë.

Konjufca, i cili mori pjesë në përkujtimin e 24-vjetorit të masakrës së Rezallës në Skënderaj, komentoi nisjen e gjykimit ndaj ish-krerëve të UÇK-së në Hagë. Ai tha se “kjo nuk mund të përjetohet ndryshe veç si padrejtësi”.

Masakra e Rezallës konsiderohet si njëra ndër masakrat më të pamëshirshme të luftës së Kosovës. Më 5 prill 1999, ushtria dhe policia serbe ekzekutuan 98 shqiptarë, banorë të Rezallës dhe fshatrave përreth, nga të cilët 44 ishin munduar t’i zhdukin.

“Jemi në 24-vjetorin e masakrës së Rezallës, në një prej akteve gjenocidale më të mëdha që i ka bërë Serbia në Kosovë. Kjo së bashku me gjithë masakrat e kryera nga aparati shtetëror e ushtarak i Serbisë e përbëjnë gjenocidin që ky shtet e ka ushtruar mbi popullin e Kosovës”.

“Këto të gjitha po i kujtojmë në kohën kur nuk është Serbia ajo që po gjykohet dhe ta marrë dënimin e merituar, me gjithë ata kriminelë lufte që i mban brenda, por është pikërisht Ushtria Çlirimtare e Kosovës dhe pjesëtarët e saj, vetë Kosova është e ulur në bankën e drejtësisë, kjo nuk mund të përjetohet ndryshe veç si padrejtësi”, ka thënë Konjufca para gazetarëve.

Sipas Konjufcës, 24 vjet pas masakrave, krimeve e gjenocidit ndaj popullit shqiptar, askush nuk e ka menduar se “do të ishim ne që duhet të arsyetojmë që nuk kemi qenë kriminelë dhe nuk kemi qenë agresori, por Serbia me gjithë ata ushtarë e policë që vranë qytetarë të pafajshëm, pleq, gra e fëmijë, veç pse ishim shqiptarë”.

Kryeparlamentari tha se liria ende nuk ka përfunduar sepse po i ka sfidat e veta.

Ai foli edhe për kërkesën e Serbisë që të mos përdoret termi “persona të zhdukur me dhunë”, në marrëveshjen në mes të dyja vendeve. Konjufca tha se ky term do të përdoret, ashtu si nëpër konventat ndërkombëtare dhe, sipas tij, Serbia e kërkon mospërdorimin e tij për t’i ikur përgjegjësisë.

“Informacioni im është që ky term do të përdoret në marrëveshje, pra termi ‘të zhdukurit’, siç përdoret nëpër konventa ndërkombëtare, sepse Serbia është munduar të përdorë terminologji të tjera për t’i ikur përgjegjësisë”, ka përfunduar ai.

Më 3 prill, në Hagë ka filluar procesi gjyqësor ndaj ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, ku Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Rexhep Selimi dhe Jakup Krasniqi, të gjithë ish-krerë të lartë të UÇK-së, po përballen me akuza për krime lufte e krime kundër njerëzimit.

Ndonëse nisja e gjykimit ndaj tyre ka marrë vëmendjen e gjerë nga opinioni publik në Kosovë dhe përtej saj, ende nuk ka pasur asnjë reagim nga presidentja Vjosa Osmani dhe kryeministri Albin Kurti.

Të ngjashme