Shefi i Grupit Parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje, Glauk Konjufca, ka thënë se është një dukuri që Kuvendi i Kosovës nuk është duke funksionuar si duhet në detyrat që i ka.
Këto komente ai ka bërë pas mbledhjes së Kryesisë së Kuvendit të Kosovës, raporton Ekonomia Online.
“Kemi më shumë së një muaj e gjysmë kur Kuvendi s’po mund t’i kalojë shumë pika. Koalicioni qeveritar nuk po funksionon. Ne po merremi me pika të muajit shkurt. Edhe kësaj here s’kemi një projektligj për ushtri. Po e shohim një tërheqje për ushtrinë nga presidenti”, ka thënë ai.
“Para dhjetë ditësh kemi pasur deklaratat e presidentit që FSK-ja do të bëhet ushtri, por javën e kaluar e patëm një zbutje të tij. Nëse mendon se duhet të bëhet ushtria duhet t’i bindësh me çdo kusht ndërkombëtarët e jo të tërhiqesh”, ka thënë ai.
Kurse duke folur për atë që nëse Lista Serbe është kthyer për Asociacionin ai tha se nuk e din pazarin e Qeverisë por se nëse kjo ndodhë atëherë kjo nuk është në rregull.
Sa i përket kthimit të Listës Serbe, Konjufca ka thënë se janë kthyer për shkak të mandatit.