Konkursi për drejtor do të përsëritet në 32 shkolla të Podujevës

Podujeve | 15 Pri 2021 | 16:20 | Nga Ekonomia Online

Ka dështuar konkursi për drejtor në shumicën e shkollave të Komunës së Podujevës. Në konkursin e hapur në janar të këtij viti komuna ka arritur t’i “rehatojë” 8 shkolla me drejtorë.

Ndërsa, do të përsëritet konkursi te 32 shkolla të tjera, 28 prej të cilave për drejtorë dhe 4 për zëvendësdrejtorë. Zëdhënësi i Komunës së Podujevës, Fatri Zhitia, ka thënë se për shkak të mospërmbushjes së kërkesave siç kërkohen në Udhëzimin Administrativ nr. 151 të datës 24.12.2020, konkursi do të rishpallet në 32 shkolla.

“Në konkursin e fundit janë zgjedhur 8 drejtorë dhe 1 zëvendësdrejtore me mandat 4-vjeçar.

Prej tyre 7 drejtorë në ShFMU, 1 drejtor në ShMLT si dhe 1 zëvendësdrejtore ne ShMLT. Do të përsëritet në 32 shkolla, për arsye të mospërmbushjes së kërkesave në bazë të Udhëzimit Administrativ Nr. 151 i datës 24.12.2020”, ka thënë Fatri Zhitia.

Sipas tij, deri tash nuk ka asnjë ankesë nga kandidatët për drejtorë e zëvendësdrejtorë. Meqenëse disa prej drejtorëve të deritashëm nuk janë rizgjedhur në këtë konkurs, disa prej tyre u duhet të marrin ditarin në dorë për t’iu kthyer mësimdhënies.

“Të gjithë ish-drejtorët që nuk janë në këto pozita, DKA- ka bërë zgjidhje duke i sistemuar si arsimtar-profesor sipas profileve të tyre përkatëse”, ka thënë zëdhënësi i Komunës së Podujevës.

“Pozitat që kanë mbetur të hapura pas zgjedhjes së drejtorëve janë mbuluar me sistemimin e ish-drejtorëve në këto pozita, si dhe me mësimdhënës që janë brenda sistemit dhe nuk e kanë normën e plotë të orëve. Kështu që nga kjo situatë nuk do të pësojnë fare nxënësit me orë të humbura për shkak të zgjedhjes së drejtorëve të shkollave”.

Në Komunën e Podujevës ka pasur vazhdimisht shkolla me ushtrues detyre të drejtorëve. Madje, disa pothuajse e kanë përfunduar mandatin duke qenë u.d. Ish-pushteti në këtë komunë dy ditë pasi i kishte humbur zgjedhjet, më 1 dhjetor 2020 kishte marrë vendim për emërimin e drejtorëve në këto shkolla. Por, me të ardhur Vetëvendosje, të njëjtin e kishte anuluar.

Drejtori për Arsim, Avni Fetahu, në dhjetor të vitit të kaluar i kishte thënë KOHËS se ish-ushtruesi I detyrës së kryetarit të Komunës, Nexhmi Rudari (LDK) i kishte shkelur procedurat ligjore dhe jashtë afateve ligjore kishte nxjerr vendim për zgjedhjen e drejtorëve e zëvendësdrejtorëve.

“Data se kur është marrë ky vendim për emrëimin e drejtorëve nëpër shkolla ka qenë më 1 dhjetor, përkatësisht dy ditë pasi që ka dalë rezultati zgjedhor që është realizuar në Komunën e Podujevës edhe në të njëjtën kohë dhe në bazë të kësaj është shkelur procedura dhe Udhëzimi Administrativ 15/2019, i cili i parasheh qartë procedurat e zgjedhjes së drejtorëve dhe zëvendësdrejtorëve nëpër shkolla”, kishte thënë Avni Fetahu.

“Fillimisht kryetari Shpejtim Bulliqi pas analizimit të gjendjes aktuale që ka ndodhur dhe vendimit që e ka gjetur të gatshëm këtu, i kemi analizuar rrethanat dhe kemi analizuar që, siç thash më herët, Udhëzimi Administrativ 15/2019 është shkelur, përkatësisht neni 3, pika 19 dhe kryetari Bulliqi e ka marrë një vendim, e ka anuluar atë vendim të mëparshëm dhe nuk e ka penalizuar asnjë drejtor”. (Koha)

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme