Koordinatori Hoti shpërblen me sete librash nxënësit në Novobërdë

Prishtinë | 24 Jan 2020 | 16:42 | Nga Ekonomia Online

Koordinatori Nacional për Kulturë, Rini dhe Sport në Qeverinë e Republikës së Kosovës, Rexhep Hoti, u ka dhuruar 187 sete librash në vlerë prej 50 eurosh nxënësve në Komunën e Novobërdës. Të gjithë këta nxënës ishin fitues të garës Nacionale në Kreativitet Kulturor dhe Mendim Kritik dhe garës Nacionale të Diturisë.

Me rastin e ndarjes së shpërblimeve, koordinatori Hoti theksoi rëndësinë e garës sidomos në komunat me shumicë serbe. “Për herë të parë në Kosovë ne kemi shpallur 44,723 fitues prej një procesi garues nëpër të gjitha shkollat e Kosovës. Është angazhuar një armatë njerëzish që sot të kemi gjithë këta nxënës fitues që marrin shpërblime. Sot jam jashtëzakonisht i lumtur që ju dhuroj librat si shpërblim të mundit tuaj. Mos harroni se arsimi dhe edukimi është ajo që ju lartëson dhe është shkallë për të ngjitur majat e suksesit, andaj vazhdoni të ngjiteni sa më lartë”, tha Koordinatori Hoti.

Në ceremoni mori pjesë edhe nënkryetari i Komunës, Bajrush Ymeri. “Është nder të jem sot në mesin tuaj në këtë ceremoni të ndarjes së shpërblimeve. Dëshiroj ta falënderoj z. Hoti për organizimin e këtyre garave sepse e di që janë mirëpritur dhe kanë qenë nxitëse. Unë kam përcjellur aktivitetet tuaja edhë në komuna tjera dhe kam parë se keni dhënë shpërblime që janë motivuese për nxënësit”, tha Ymeri.

Jordanka Dordevic, drejtoreshë e arsimit në Novobërdë falënderoi nxënësit dhe koordinatorin Hoti. “Kam kënaqësinë që jam sot këtu me ju për shpërndarjen e librave pas mbajtjes së garave. I falënderoj këta nxënës që kanë qenë pjesë e garës si dhe koordinatorin Hoti pa të cilin nuk do të ishim sot këtu sidomos për mbështetjen që ka dhënë. Të nderuar nxënës, puna juaj sot po shpërblehet dhe unë ju uroj shumë suksese në të ardhmen”, tha Dordevic.

Nxënësit fitues u ndanë të kënaqur me dhuratën ndërsa treguan edhe për përgatitjet që kanë bërë për garat. Komuna e Novobërdës ka pasur 387 nxënës fitues në të gjitha nivelet e garës nacionale në Kreativitet Kulturor e Mendim Kritik si dhe në Dituri. 133 në nivelin komunal dhe 254 fitues në nivelin shkollor të garës.

Të ngjashme