Republika e Kosovës dhe Mali i Zi kanë nënshkruar marrëveshjen për njohjen e ndërsjellë të shërbimeve të besuara dhe identifikimit elektronik, e cila synon të lehtësojë përdorimin e shërbimeve digjitale ndërmjet dy vendeve dhe të forcojë bashkëpunimin në kuadër të transformimit digjital dhe integrimit evropian, raporton Ekonomia Online.
Ministri në detyrë i Digjitalizimit dhe Administratës Publike i Republikës së Kosovës, Lulëzon Jagxhiu, tha se marrëveshja përbën një hap të rëndësishëm në avancimin e transformimit digjital dhe integrimit evropian të Kosovës.
“Kjo marrëveshje ka të bëjë me njohjen e shërbimeve të kualifikuara të besuara dhe të skemave të identifikimit elektronik ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Malit të Zi. Ne, Kosova me Malin e Zi, kemi marrëdhënie shumë të mira miqësore që bazohen në vlerat e përbashkëta, respektin e ndërsjellë dhe aspiratat e përbashkëta që kemi drejt anëtarësimit në Bashkimin Evropian. Marrëveshja e sotme është edhe një hap i radhës drejt forcimit të këtyre marrëdhënieve tona bilaterale. Kosova është duke avancuar në agjendën e saj të reformave në fushën e transformimit digjital. Platforma e-Kosova është një prej shtyllave kryesore, ku qytetarët tanë tashmë kanë qasje në mbi 320 shërbime elektronike për qytetarët dhe bizneset. Njëkohësisht, po punohet në shtyllat e transformimit digjital që kanë të bëjnë me interoperabilitetin — pra zgjerimin dhe modernizimin e platformës së interoperabilitetit; pastaj ndryshimin e qasjes sonë ndaj ofrimit të shërbimeve, duke u fokusuar gjithnjë e më tepër në shërbime që bazohen në ngjarje jetësore, pra shërbime të personalizuara, të integruara dhe proaktive; pastaj tranzicionin drejt teknologjive Cloud, modernizimin e rrjetit qeveritar; dhe një prej këtyre reformave ka të bëjë edhe me implementimin e identifikimit elektronik dhe kuletës digjitale (Digital Ëallet), të cilën jemi duke e avancuar dhe jemi në proces të lansimit të saj”, tha ai.
Ai, tha se këtë proces do ta vazhdojnë edhe me vendet e tjera të rajonit.
“Të gjitha këto reforma që jemi duke i bërë, po realizohen edhe në kontekstin e integrimeve tona evropiane. Prandaj, çdo herë kur ndërtojmë shtyllat e transformimit digjital, mendojmë edhe për integrimin e këtyre shërbimeve dhe sistemeve përtej kufijve tanë shtetërorë. Këtu qëndron edhe rëndësia e kësaj marrëveshjeje që po nënshkruajmë sot. Identifikimi elektronik dhe shërbimet e besuara përbëjnë infrastrukturën e besimit, mbi të cilën ndërtohen shërbimet moderne digjitale. Ne jemi duke avancuar, siç e ceka më herët, med platformën e identifikimit elektronik dhe kuletës digjitale. Po ashtu, kemi ofrues të regjistruar e të klasifikuar të shërbimeve të besuara. Duhet të sigurohemi që këto shërbime të besuara që ne ofrojmë në vendin tonë të jenë të pranuara edhe përtej kufijve tanë shtetërorë, dhe e kundërta — shërbimet e besuara që ofrohen në shtete të tjera të njihen edhe në territorin e vendit tonë. Prandaj, po e fillojmë këtë proces me vendin mik, Malin e Zi. Këtë proces do ta vazhdojmë edhe me vende të tjera në rajonin tonë, me synimin që të arrijmë edhe në njohjen reciproke të shërbimeve të këtilla me vendet e BE-së. Kjo është shumë e rëndësishme për qytetarët tanë, sepse hap derën për shërbime plotësisht digjitale që i tejkalojnë kufijtë e vendit tonë“, tha Jagxhiu.
Ndërkaq, Ministri i Administratës Publike i Malit të Zi, Marash Dukaj, vlerësoi se marrëveshja do të sjellë përfitime për qytetarët, bizneset dhe procesin e integrimit evropian të të dy vendeve.
“Rasti është edhe më i madh pasi që, edhe formalisht, po bëjmë një marrëveshje, po nënshkruajmë një marrëveshje shumë të rëndësishme, ku po i heqim kufijtë digjitalë me Republikën e Kosovës. Kjo marrëveshje ka rëndësi shumë të madhe, në radhë të parë për qytetarët tanë të të dy vendeve, të cilët jetojnë e punojnë në Kosovë, në Republikën e Kosovës, por natyrisht edhe në Mal të Zi. Dhe jo vetëm për ta, por edhe për bizneset dhe për krejt bashkëpunimin që është kryesor për integrimin tonë të përbashkët në Bashkimin Evropian. Siç e dini, Mali i Zi prin formalisht këtyre proceseve dhe besoj e shpresoj që t’i mbyllim ato deri në fund të vitit 2028. Ne jemi të gatshëm që përvojat tona në fusha të ndryshme t’i ndajmë edhe me Kosovën, por natyrisht edhe të mësojmë shumë nga Republika e Kosovës, sepse pothuajse gati aty-aty jemi – në disa fusha jemi ne para, në disa fusha është Kosova. Uroj dhe besoj se ky bashkëpunim do të intensifikohet edhe më shumë në të ardhmen. Dua të potencoj posaçërisht rëndësinë e këtij bashkëpunimi dhe këtij nënshkrimi për faktin se kjo është pjesë e Planit të Rritjes. Me këtë rast, dua të falënderoj posaçërisht ministrin Jagxhiu për përkushtimin e tij për një bashkëpunim intensiv, ku për një kohë shumë të shkurtër arritëm ta finalizojmë këtë marrëveshje. Duhet të potencoj se Mali i Zi po arrin shumë shpejt, besoj deri në fund të tetorit, që të nënshkruajë këtë marrëveshje me të gjitha shtetet e Ballkanit Perëndimor, gjë që është një arritje shumë e madhe për aspiratat tona si shtete drejt Bashkimit Evropian”, tha ai.


