“Kosova është pllakosur në zi dhe mbytur në dhimbje”, Konjufca ngushëllon familjet e viktimave të aksidentit në Kroaci

Prishtinë | 28 Kor 2021 | 18:06 | Nga Ekonomia Online

Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Glauk Konjufca, u është drejtuar familjeve të viktimave që humben jetën në aksidentin tragjik që ndodhi në Slavonski Brod të Kroacisë duke thënë se jo vetëm ata, por e tërë Kosova është pllakosur në zi.

“Të nderuara familje Binakaj, Rrustemi, Kolmekshaj, Kastrati, Bellanica, Maloku, Hoxha, Iprijaj e Sylmetaj, si dhe të afërm e miq të bashkatdhetarëve që humbën jetën në aksidentin tragjik të së dielës”.

“Jo vetëm ju, por e tërë Kosova është pllakosur në zi dhe mbytur në dhimbje për bashkatdhetarët tanë të dashur, që pësuan në fatkeqësinë tragjike afër Slavonski Brodit të Kroacisë, derisa po ktheheshin në atdhe nga mërgimi për pushime çmallëse”, është shprehur Konjufca.

Tutje, i pari i Kuvendit thotë se në këto momente tronditëse për ata që humbën më të dashurit e tyrë dhe për mbarë Kosovës, janë bashkë dhe pranë njëri-tjetrit për të shprehur solidaritetin vëllazëror.

“Në këto momente tejet tronditëse për ju që humbët më të dashurit tuaj dhe për mbarë Kosovën, jemi bashkë dhe pranë njëri-tjetrit për të shprehur solidaritetin vëllazëror, për të ndarë dhimbjen dhe për ta përballuar më lehtë pikëllimin për jetët e humbura në këtë tragjedi të dimensioneve tejkombëtare, si dhe për t’u lutur për shërimin e të lënduarve”, shkroi Konjufca në llogarinë e tij në Facebook.

Kujtojmë se mbrëmë nga Kroacia janë kthyer 28 persona që i mbijetuan aksidentit që i mori jetën 10 bashkatdhetarëve.

Të ngjashme