Kosova ka dështuar në diplomacinë ekonomike

Prishtinë | 11 Shk 2021 | 13:32 | Nga Ekonomia Online

Ministria e Punëve të Jashtme ka dështuar në diplomacinë ekonomike, përkatësisht në emërimin e atasheve ekonomikë të cilët do të lobonin për zhvillimin e ekonomisë së Kosovës, për tërheqjen e investitorëve të huaja, si dhe për krijimin e marrëdhënieve ekonomike me shtetet e zhvilluara. Kështu kanë thënë për gazetën “Epoka e re” ekspertë të fushës së ekonomisë, por edhe përfaqësues të bizneseve. Bashkëpunëtori i lartë për hulumtime në Institutin “Riinvest”, Pëllumb Çollaku, ka thënë se mungesa e atasheve ekonomikë vjen për shkak të mospërvojës diplomatike të Kosovës. Ndërsa drejtori ekzekutiv i Odës Ekonomike Amerikane, Arian Zeka, ka thënë për gazetën “Epoka e re” se shteti i Kosovës ka dështuar në diplomacinë ekonomike për shkak të mosemërimit të atasheve ekonomikë në misionet diplomatike.

Prishtinë, 10 shkurt – Mungesa e atasheve ekonomikë në ambasadat dhe konsullatat e Republikës së Kosovës, në Evropë dhe në botë, është duke u vlerësuar nga ekspertët e ekonomisë dhe përfaqësuesit e bizneseve vendore dhe ndërkombëtare si dështim i diplomacisë ekonomike të Kosovës.

Ekspertë e ekonomisë, por edhe përfaqësuesit e bizneseve vendore dhe ndërkombëtare, kanë thënë për gazetën “Epoka e re” se atashetë ekonomikë të cilët do të lobonin nëpër botë për përparësitë krahasuese të Kosovës dhe që do të mundësonin më pas tërheqjen e investimeve të huaja, do të duhej të ishin prioritet i Ministrisë së Punëve të Jashtme. Sipas tyre, kjo mungesë është një ndër faktorët kryesorë të mungesës së investimeve të huaja. Lidhur me këtë çështje “Epoka e re” ka provuar të marrë përgjigje edhe nga Ministria e Punëve të Jashtme e Kosovës, e cila aktualisht është nën udhëheqjen e Meliza Haradinaj Stublla, por të njëjtët nuk kanë kthyer përgjigje.

Ndërsa sipas Ligjit nr. 03/L-044 për Ministrinë e Punëve të Jashtme (MPJ) dhe shërbimin e jashtëm dhe shërbimin diplomatik të Republikës së Kosovës, neni 2, pika 7.2, MPJ-ja, pas marrjes së pëlqimit nga qeveria, ia dërgon emrin e kandidatit për ambasador ose shef misioni në besim, Komisionit për Punë të Jashtme të Kuvendit të Republikës së Kosovës. Para se të kërkojë pëlqimin nga qeveria, Ministria e Punëve të Jashtme sigurohet se kandidati i plotëson kriteret e përcaktuara në paragrafin 1 të nenit 6 të këtij ligji.

Bashkëpunëtori i lartë për hulumtime në Institutin “Riinvest”, Pëllumb Çollaku, ka thënë se mungesa e atasheve ekonomikë vjen si pasojë e mospërvojës diplomatike të Kosovës. Përveç të tjerash, sipas tij, kjo mungesë dëshmon debalancën e lartë tregtare. “Si një vend i ri, mungesa e atasheve ekonomikë është reflektim i mungesës së përvojës së vendit në rrafshin diplomatik. Zakonisht, një nga qëllimet kryesore të diplomacisë është të sigurojë marrëveshje dhe aranzhmane përfituese, njëkohësisht ta mbrojë interesin ekonomik të vendit, e që njihet si diplomaci ekonomike. Nga këtu, mungesa e saj veç po reflektohet në pasoja për vendin që lehtë shihet me thellimin e bilancit negative tregtar me vendet e tjera. Mungesa e dinamikës së lehtësimeve të vazhdueshme për eksportet e Kosovës në tregjet e vendeve ku kemi përfaqësitë tona diplomatike, dhe ajo e politikave me efekte të limituara për joshjen e investitorëve të jashtëm nga vendet pritëse për në vendin amë (që do ta rriste edhe fuqinë prodhuese të vendit), kanë kontribuar dukshëm në këtë bilanc negativ”, ka thënë Çollaku për gazetën “Epoka e re”.

Sipas Çollakut, me fuqizimin e diplomacisë ekonomike Kosova mund të përfitojë në shumë fusha, e sidomos atë të tërheqjes së investimeve të huaja. “Me fuqizimin e diplomacisë ekonomike përmes atasheve ekonomikë mund të bëhej më shumë në rrafshin e marrëdhënieve ekonomike në nivelet qeveritare mes vendeve. Sidomos, mund të fillohej të dinamizohej procesi nga nevojat bazike, siç janë ato të mbledhjes, përpunimit dhe ofrimit të informacioneve dhe infrastrukturës përkatëse për palët e interesuara. Këto të fundit janë shumë të rëndësishme për parashikimin e trendëve ekonomikë mes vendeve dhe të ndihmojnë në konsolidimin e politikave të suksesshme strategjike për joshjen e investimeve të jashtme direkte brenda në vend, si dhe pr ndërtimin e urave në mes të bizneseve në kuadër të zinxhirëve specifikë të vlerës”, ka thënë ai.

Meqenëse strategjia e deritashme e Kosovës nuk është treguar efikase atëherë, sipas profesorit të ekonomisë, Pëllumb Çollaku, është më se i nevojshëm emërimi i atasheve ekonomikë. Përveç nevojës së emërimit, sipas tij, është e domosdoshme që atashetë ekonomikë të jenë ekspertë të ekonomisë dhe mos të politizohet me ta. “Meqë në rrafshin e joshjes së investimeve të jashtme direkte dhe jo vetëm, strategjia e deritashme ‘one size fits all’ është dëshmuar dukshëm e limituar, duket si nevojë rishikimi i emërimit të atasheve ekonomikë, veçse të emëruarit duhet të jenë specialistë të dëshmuar të çështjeve të ekonomisë me ekspertiza përkatëse. Kjo është shumë e nevojshme për funksionim më të mirë dhe për identifikim të suksesshëm të mundësive që burojnë nga konstalacioni i komplikuar i ekonomisë botërore”, ka thënë Çollaku, duke rekomanduar kështu edhe mënyrën se si do të duhej të funksionin atashetë ekonomikë. “Për një rezultat më të mirë mendoj që ata duhej të lidhen me ministritë e linjës përkatëse, p. sh., Ministrinë e Tregtisë dhe Industrisë, Zhvillimit Ekonomik etj. Me inputet dhe informatat e tyre ata do të ndihmonin dukshëm për formulimin e politikës së jashtme, në marrëveshjet ndërkombëtare dhe promovimin e prodhimeve të Kosovës në tregjet e huaja dhe për rritjen e prodhuesve vendorë. Kjo do të bëhej e mundshme përmes dinamizmit të takimeve me biznesmenë nga vendi amë dhe pritës, me pjesëmarrje në panaire, konferenca, ekspozita tregtare etj”, ka deklaruar ai.

Më tutje, Çollaku ka përmendur një varg përfitimesh që do të mund t’i sillnin Kosovës atashetë ekonomikë. “Në përgjithësi, ata mund të kontribuonin në fusha si: çështjet financiare, bankare, tregtare, projekte të zhvillimit ekonomik, zhvillim komunikimi dhe transport, në projekte dhe çështje mjedisore, shkencore dhe teknologjike”, ka thënë ai. Kurse sa i përket rrjetëzimit potencial të atasheve ekonomikë, Çollaku ka përmendur shtetet të cilat potencialisht do të ishin urë lidhëse në mes të investitorëve të huaj dhe Kosovës. “Vendet e dëshmuara me ‘know-how’ dhe pozicion të rëndësishëm në zinxhirët e vlerës dhe potenciali i investimeve si: Gjermania, Zvicra, Austria, Franca, Italia, Holanda, Izraeli, Japonia, Mbretëria e Bashkuar dhe ShBA-të (e sidomos tri të parat shkaku i mundësisë për rrjetëzim më të lehtë përmes bashkatdhetarëve tanë në këto vende) duhet të jenë gjithmonë interes primar i Kosovës në mënyrë që t’i sigurojnë qeverisë së Kosovës informacione ekonomike dhe analiza të zhvillimeve ekonomike në vendet pritëse, që më pas do të përktheheshin në projekte konkrete inventive në Kosovë”, ka thënë Çollaku.

Ujkani: Diplomacia ekonomike duhet të jetë prioritet

Drejtori ekzekutiv i Këshillit të Investitorëve Evropianë (KIE), Emrush Ujkani, ka thënë për gazetën “Epoka e re” se është për keqardhje që shteti i Kosovës e ka nëpërkëmbur diplomacinë ekonomike, duke mos emëruar atashetë ekonomikë. “Sa i përket diplomacisë ekonomike të Kosovës, është për të ardhur keq se si nuk është përfillur nga shteti ynë kjo çështje. Prandaj, nuk ka asnjë veprimtari biznesore nga misionet diplomatike dhe diplomacia politike është zero sa i përket punës që do të duhej ta bënte në këtë drejtim”, ka thënë Ujkani.

Ai ka përmendur edhe fokuset ekonomike që do të duhej të dominonin në diplomacinë ekonomike. Sipas tij, planet ekonomike janë të kota nëse Kosova nuk ka një diplomaci të zhvilluar ekonomike. “Në aspektin ekonomik, diplomacia jonë duhet të zhvillohet më tepër dhe të kemi atashe ekonomikë, në mënyrë që ta kemi një qasje më korrekte. Planet ekonomike mund të gjykohen të jenë të mira ose jo, por nëse s’e kemi një diplomaci më të zhvilluar ekonomike, përpjekjet janë të kota. Prandaj, diplomacia ekonomike nga ligjvënësit në Kosovë duhet të jetë prioritet në mënyrë që të na lehtësohen mundësitë e tërheqjes së investimeve të huaja. Është momenti i fundit kur duhet të merret vendim për këtë çështje dhe assesi mos të neglizhohet”, është shprehur Ujkani.

Ndërsa drejtori ekzekutiv i Odës Ekonomike Amerikane, Arian Zeka, ka thënë për gazetën “Epoka e re” se shteti i Kosovës ka dështuar në diplomacinë ekonomike për shkak të mosemërimit të atasheve ekonomikë në misionet diplomatike. “Shteti i Kosovës ka dështuar tash e sa vite për fuqizimin e diplomacisë ekonomike, e kjo përfshin edhe mosemërimin e atasheve ekonomikë nëpër misionet diplomatike të Kosovës, të cilët do të promovonin para investitorëve të vendeve pritëse mundësitë e investimit në Kosovë, por edhe do të ndihmonin në promovimin e produkteve të Kosovës. Kjo ndikon në mosshfrytëzimin e një potenciali të madh i cili do të duhej të vihej në funksion të zhvillimit ekonomik të vendit”, është shprehur Zeka.

Në lidhje me këtë çështje, kryetari i Shoqatës së Eksportuesve të Kosovës, Nexhat Hasani, ka thënë për gazetën “Epoka e re” se është për keqardhje sesi Kosova nuk ka emëruar deri më tani atashe ekonomikë. Sipas tij, në mungesës së atasheve ekonomikë, por edhe për shkak të pandemisë Covid-19, shumë prodhues të Kosovës i kanë humbur tregjet e tyre. “Është për keqardhje që nuk është bërë asgjë nga diplomacia e Kosovës për emërimin e atasheve ekonomikë. Prandaj, është momenti i fundit kur duhet të ndodhë kjo. Mungesa e atasheve ekonomikë, të cilët do të ishin ura lidhëse në mes të tregut të Kosovës dhe vendeve me të cilat kemi bashkëpunim ekonomik, është mjaft sfiduese për gjetjen e tregjeve të reja për eksportuesit e Kosovës, pasi me anë të tyre do të ekspozoheshin përparësitë krahasuese të Kosovës dhe do të ishin dorë e zgjatur e ekonomisë së vendit”, ka thënë Hasani, duke shtuar se kjo mungesë ka ndikuar edhe në humbje të tregjeve për eksportuesit e vendit. “Në saje të pandemisë, por edhe të mungesës së atasheve, shumë eksportues kanë humbur tregjet e tyre”, ka thënë ai. Sipas tij, atashetë ekonomikë medoemos duhet të emërohen në vendet ku Kosova ka bashkëpunim të mirë diplomatik. “Vendet kryesore, si Italia që ka më së shumti eksporte Kosova, pastaj Zvicra, Gjermania, Austria, pra këto shtete me të cilat Kosova ka raporte të mira edhe diplomatike, por edhe ekonomike dhe me ato shtete që ka importe”, ka deklaruar Hasani, duke shtuar se trupat diplomatikë të Kosovës deri më tani s’kanë bërë kurrfarë pune sa i përket diplomacisë ekonomike. “Trupat diplomatike që i ka Kosova nëpër botë, pra konsujt, deri më tani s’kanë bërë kurrfarë pune sa i përket diplomacisë ekonomike”, ka deklaruar ai.

Në anën tjetër, njohësi i çështjeve ekonomike, Safet Gërxhaliu, ka thënë se është i domosdoshëm emërimi i atasheve ekonomikë. Sipas tij, diplomacia ekonomike dhe ajo politike kanë dështuar, sidomos me emërimet në baza politike e jo meritore. “Diplomacia, qoftë politike, ekonomike, kulturore apo ushtarake, është pasqyrë reale e një shteti dhe në këtë drejtim Kosova ka dështuar, pasi nuk ishte e orientuar në vlera, por në militantë partiakë për t’i pozicionuar këto vende. Ke sot diplomatë në vende të ndryshme që s’e njohin gjuhën dhe kulturën e atij vendi dhe si mund të këtë përfitime pozitive nga ta”, ka thënë Gërxhaliu.

Ai ka thënë se është për keqardhje se si MPJ-ja nuk ka marrë hapa konkretë pasi, sipas tij, rëndësia e atasheve ekonomikë nuk është vetëm e aksit ekonomi, por edhe atij politik dhe psikologjik. “Është për keqardhje heshtja e Ministrisë së Punëve të Jashtme kur dihet se sa nota verbale e qeverive evropiane dhe më gjerë janë dërguar te MPJ-ja për pakënaqësinë me diplomacinë politike të Kosovës dhe me sjelljet jonjerëzore dhe njohuritë e tyre. Ky është degradim i madh që iu ka bërë Kosovës. Rëndësia e një atasheu ekonomik nuk është vetëm aspekti ekonomik, por edhe politik dhe psikologjik. Duhet të dish të mendosh dhe të komunikosh në aspektin gjeografik. Jeni duke e parë se vendet e BE-së dhe Ballkanit janë partnerë strategjikë dhe aty duhet të dërgohen njerëz që i meritojnë ato pozita”, ka thënë Gërxhaliu.



Të ngjashme