Themelimi i noterisë në Kosovë, u ka ndihmuar qytetarëve të Kosovës për zgjidhjen e problemeve që kanë të bëjnë me çështjet ligjore, ndërkaq në të njëjtën kohë është lehtësuar puna e gjykatave në vend.
Këto komente i ka bërë kryetarja e Odës së Noterëve të Kosovës, Arbena Shehu, gjatë një ligjërate tematike në UBT, e cila i ka njoftuar studentët për aktivitetin e noterëve dhe rolin e tyre në zhvillimin ekonomik dhe social të vendit.
Ajo ka theksuar se komunat në Kosovë po ballafaqohen me mungesë të noterëve. Sipas saj, në disa qytete nuk ka fare noter, teksa me këtë rast, e përmendi specifikisht komunën e Skenderajt.
“Numri i noterëve duhet të rritet sepse kemi ende komuna pa mbulim të noterëve, por ka edhe komuna që kanë numër të vogël të noterëve. Ka komunë deri në 100 mijë banorë dhe ka vetëm një noter”, ka thënë Shehu, teksa shtoi se, “Oda e Noterisë së Kosovës përbëhet nga 74 noterë, të cilët shërbejnë në tërë territorin e Kosovës”.
Shehu tha se noteria në Kosovë i përmbushë të gjitha standardet evropiane, ndërkaq bëri të ditur që, Oda e Noterëve të Kosovës është e anëtarësuar në Unionin Ndërkombëtar të Noterisë.
“Oda është e pavarur në veprimtarinë e saj. Të gjithë noterët janë detyrimisht anëtarë të Odës së Noterëve të Kosovës, që nga dita e caktimit në pozitën e noterit”, tregoi Shehu, për të shtuar se, “noteria në vend është vlerësuar si më e mira në Ballkan, vetwm një vit pas anëtarsimit në Unionin Ndërkombëtar të Noterisë”.
Ajo ka bërë të ditur se financimi i Odës bëhet nga kontributi i noterëve. Sipas saj, çdo noter është i obliguar që të paguaj 2% të të ardhurave mujore për Odën e Noterëve.
Në kuadër të forumeve të debateve të shkencave shoqërore, UBT vazhdimisht po organizon ligjërata me tema të ndryshme dhe në interes të studentëve, ku ftohen zyrtarë dhe ekspertë të fushave përkatëse.