Kanë kaluar më shumë se një muaj prej kur komunat me shumicë serbe kanë mbetur pa kryetarë. Megjithëkëtë nga kjo temë ende nuk ka asgjë të re, Qeveria Haradinaj nuk po pranon dorëheqjet, kryetarët nuk po dalin në punë, institucionet kanë humbur fuqinë në këtë pjesë. As presidenti nuk ka shpallur zgjedhjet në afatin kohor të paraparë sipas ligjit.
Tashmë ka kaluar afati kohor kur presidenti i Kosovës do të duhej të kishte shpallur zgjedhjet e jashtëzakonshme në komunat me shumicë serbe të cilat kanë mbetur pa kryetarë. Por, një gjë e tillë ende nuk ka ndodhur.
Duke u thirrur në ligjin për Zgjedhjet Lokale në Kosovë, thuhet se “pas shpërbërjes së Kuvendit të Komunës ose shkarkimit të kryetarit të Kuvendit, nëse nuk parashtrohet ankesë në afat prej pesë ditësh te Gjykata Kushtetuese, zgjedhjet e parakohshme lokale shpallen nga Presidenti i Kosovës”.
Në nenin 11 të këtij ligji thuhet se: “Mandati i kryetarit të Komunës përfundon në pajtim me Ligjin për vetëqeverisje lokale dhe se Kryetari mandati i të cilit përfundon në pajtim me paragrafin 1 të këtij neni zëvendësohet përmes mbajtjes së zgjedhjeve të jashtëzakonshme për Kryetar në atë komunë.”
Zgjedhjet do të duheshin të shpalleshin jo më vonë se 10 ditë pas shpërbërjes, kurse duhet të mbahen më herët se 30 ditë dhe jo më vonë se 45 ditë pas shpërbërjes.
Sipas ligjit, vetëm KQZ, mund të ndryshojë afatet kohore në rast se kjo nevojitet për shkak të rrethanave.
Por, duke u bazuar në ligjin për zgjedhjet e jashtëzakonshme, ato mund të shpallen edhe nëse kryetari i ndonjë komune nuk del për në punë në periudhë një mujore.
Edhe pse ligji saktëson periudhat e parapara për zgjedhje, të njëjtat jo vetëm se nuk kanë filluar proceduralisht, por, as nuk po përflitet se do të mbahen, ani pse kryetarët serb ka më shumë se një muaj që nuk po dalin në punë.
Rrjedhimisht, institucionet po vazhdojnë të heshtin karshi situatës në veri.
Nga MAPL, në departamentin për çështje ligjore nuk kanë bërë të ditur se a kanë shqyrtuar kërkesat për dorëheqje edhe pse afati kohor për shqyrtim prej 15 ditëve ka kaluar. Në rast se konstatohet se dorëheqjet janë në përputhje me ligjet për vetëqeverisje lokale, vazhdohet me proceduat e tjera.
Problem ka dalë me referencën “Kosovë e Metohi” e kryetarëve të dorëhequr në veri.
MAPL do të duhej që tashmë ta kishte njoftuar Qeverinë, e kjo e fundit ka për detyrë të kërkojë nga presidenti që t’i shpallë zgjedhjet në atë komunë në të cilën mungon kryetari.
Vendimi për taksën prej 100 për qind për të gjitha produktet serbe e boshnjake pati mobilizuar serbët e Kosovës. Me direktivë nga Beogradi katër kryetarë të komunave veriore kishin dhanë dorëheqje nga posti, duke u deklaruar se nuk do të lejojnë askënd të kandidojë për kryetar të kësaj pjese, kurdoherë që zgjedhjen do të mbahen./Express/