Kosova sot nis konsolidimin për Suedinë e Ibrahimoviçit

Prishtinë | 25 Mar 2021 | 12:11 | Nga Ekonomia Online

Kombëtarja e Kosovës tashmë e ka lënë anash fitoren prej 4:0 ndaj Lituanisë që e shënoi mbrëmë në Prishtinë dhe vëmendjen tashmë e ka kthyer kah kampanja kualifikuese për Botërorin 2022.

“Dardanët” sot prej orës 13:00 do t’u kthehen stërvitjeve për ndeshjen e rëndësishme që do ta zhvillojë të dielën në stadiumin “Fadil Vokrri” kundër Suedisë së Zlatan Ibrahimovicit.

Kjo do të jetë ndeshja e parë kualifikuese për Kosovën, e cila më 31 mars do ta vizitojë Spanjën, kundërshtaren tjetër të Grupit, ku bëjnë pjesë edhe Greqia e Gjeorgjia.

Verdhekaltrit stërvitjen e sotme do ta zhvillojnë në Hajvali. Trajneri Bernard Challandes nga sot do të punojnë për eliminimin e dobësive që i kanë vërejtur në miqësoren e fituar ndaj Lituanisë, e që kryesisht kanë të bëjnë me repartin defanziv, ku do të jenë dy mungesa shumë të mëdha, Amir Rrahmani e Ibrahim Dreshoviq.

Andaj, Challandes me bashkëpunëtorë do të përpiqen ta konsolidojnë mbrojtjen dhe ta sinkronizojnë atë me mesfushorët defanziv, ku shpeshherë vërehet pika e dobët e Kosovës, shkruan Gazeta Express.

Do të jenë tri ditë kohë për Challandesin e futbollistët e tij që të komponohen dhe të bëhen gati për sfidën e vështirë ndaj suedezëve, të cilët karakterizohen për përgatitje të mirë fizike, për lojë me kundërsulme efikase dhe për rrezikshmëri të lartë nga ndërprerjet.

Të ngjashme