Kosova, temë diskutimi mes Bidenit e Melonit në Shtëpinë e Bardhë

Prishtinë | 28 Kor 2023 | 10:06 | Nga Ekonomia Online

Presidenti i ShBA-së, Joe Biden, gjatë ditës së djeshme ka pritur në një takim në Shtëpinë e Bardhë kryeministren italiane, Giorgia Meloni.

Ai falënderoi kryeministren e ekstremit të djathtë për mbështetjen e qëndrueshme të Italisë ndaj Ukrainës, duke i ofruar një mirëseardhje të ngrohtë në Shtëpinë e Bardhë një lideri që administrata e tij e pa me njëfarë dridhjeje kur ajo erdhi në pushtet vitin e kaluar si kreu i qeverisë së parë të drejtuar nga e djathta ekstreme në Itali që nga fundi i Luftës së Dytë Botërore, raporton Klankosova.tv.

Ndër temat e diskutimit mes tyre ishte edhe Ballkani Perëndimor, më specifikisht situata në Kosovë, ndonëse vendin nuk e përmendën me emër.

Duke iu referuar Kosovës dhe Serbisë dhe situatës së fundit të tensionuar mes dy vendeve, në deklaratë u tha se “ata vendosën të përforcojnë koordinimin për të favorizuar de-përshkallëzimin dhe pajtimin dhe pranuan rolin vendimtar të Quint-it”.

Po ashtu, Bideni dhe Meloni thanë se dy vendet e tyre “riafirmojnë angazhimin e tyre të përbashkët për sigurinë, stabilitetin dhe prosperitetin e Ballkanit Perëndimor dhe mbështetjen e tyre të gjatë për integrimin euroatlantik të rajonit”.

“Shtetet e Bashkuara mirëpresin angazhimin e qeverisë italiane në Ballkanin Perëndimor, duke përfshirë kontributin e forcave të armatosura italiane në misionet e KFOR-it, EULEX-it dhe EUFOR-it Althea”, u tha në deklaratën e përbashkët të Bidenit dhe Melonit pas takimit.

Të ngjashme