Kosova mori çmimin e parë në “Let`s Do it World” . Është hera e parë që Kosova merr pjesë dhe shpërblehet me vendin e parë. Si aktivitet është i shumë i suksesshëm, por vetëm si pasojë. Shkaku i çmimit të parë ishte mundësia që të jepej e të mblidhje mbeturina kudo. Ishte shumë e vështirë të mos dilje i pari. Por, Kosova do të mund të dilte e para edhe në riciklim. Riciklojmë aq shumë nga të gjitha sferat e riciklimit njerëzor. Riciklojmë politikanë, doktorë, doktorë shkencash, mësues, gjykatës, prokurorë etj.
1.
“Po i bjen era retë e zeza , vijnë nga mali breza-breza”. Këngë e vjetër dhe e përpunuar bukur kohëve të fundit. Do të ishte bukur që retë e zeza të ishin të bardha , por pasi që ato vijnë breza-breza , atëherë është pak e mundshme që njëri brez të të dallojë shumë nga tjetri. Politika po e riciklon veten. Njerëz , që kanë dorë të drejtpërdrejt dhe janë meritor për situatën në arsim, shëndetësi e zhvillim ekonomik dhe mirëqenie, filluan të mendojnë për të ardhmen e tyre duke ricikluar veten e tyre. Ata nuk e kanë historinë e njëjtë me të ricikluarin. Të parët erdhën në një pozitë shoqërore aksidentalisht apo nga një kauzë e cila nuk mund të riprodhohet më, ndërsa i dyti është bërë me planifikim. Tamam sikurse uji , që në pusetat tona është i pastër, por me qarkullimin e tij nëpër gjithë kanalet e qytetit, bëhet i papërdorshëm përveçse mbi të punohet me teknika riciklimi që ta kthej përsëri në pusetat e njëjta. Me riciklimin e tyre, duke e zëvendësuar veten me pasardhësin e tyre, ata po i sigurojnë vetes pushtet, prestigj, titull.
2.
Një sistem i instaluar nga politikanët aksidentale e që për pasojë ka mjekë të cilët shfrytëzojnë njohjet e “duhura” që fëmija i tij të regjistrohet në fakultet nga i cili si rezultat do të nxjerr veten e tyre veçse të ricikluar dhe më pak të aftë se vet ata (pasojë e procesit riciklues). Kjo do t’i siguroj për të ricikluarin se ai/ajo do të ketë punë apo prestigj falë mbiemrit që gëzon apo njohjeve që i ka. Diskriminon fatalisht një tjetër që nuk është hallkë e zinxhirit reciklues.
3.
Një sistem i instaluar nga politikanë aksidental e që për pasojë ka doktorë shkenca të cilët fëmijët e tyre e kalojnë disi nga klasa e mesme duke shfrytëzuar njohjet e “duhura” , e regjistrojnë në universitetin e improvizuar ku edhe vetë punojnë, i japin titullin Master, ndërsa i sapo magjistruari në ekonomi bën pyetje si: Mundet shteti t’i përcaktoj çmimet e patateve apo si funksionon kjo ? Në këso rastesh pyetja tregon shumë më shumë se përgjigjja! Por doktori i shkencave nuk ndalet këtu e të mendoj se çfarë jashtëqitje profesionale ka bërë! Ai shikon përpara , kah e ardhmja . Ai nuk ndalet se instinkti i tij atë kërkon . Dëshiron që suksesin e tij aksidental ta pasqyroj tek i biri veçse në mënyrë ricikluese . Me gjithë ato pyetje idioteske ai beson se doktorata për të ricikluarin e ardhshëm është përmbushje e tij si prind .Riciklimi i doktorëve të shkencave është më i rrezikshmi për shoqërinë, apo thënë ndryshe, është baza e shkatërrimit përfundimtar të shoqërisë. Ata nuk i bëjnë dëm një njeriu, as disave. Ata krijojnë kuadro të reja , ekonomistë të rinj që pyetja e të ricikluarit jeton për breza-breza .
4.
Një sistem i instaluar nga politikanët aksidentalë që për pasojë kanë gjykatës , prokurorë të cilët mbajnë postet e tyre derisa të vijë rendi i të ricikluarit të tyre. Posti i tyre është fisnik, fitimprurës. Ka dhe disa privilegje tjera të cilat e bëjnë edhe më të arsyeshme luftën e tyre për riciklim. Por këtu është një dallim nga rastet e tjera. Prokurorët dhe gjykatësit nuk e riciklojnë veten, por politika riciklon të dëgjuarit e tyre. Në sistemin e drejtësisë nuk bëhet dëmi nga vet ata, por nga politika. Sepse politikës i duhet çekani i drejtësisë.
5.
Pra , riciklimi si proces i natyrës që riciklon ajrin , ujin e materien është i domosdoshëm që jeta në Tokë të vazhdojë kurse ne të vazhdojmë të përfitojmë nga ky cikël jetese natyrore . Edhe riciklimi i mbeturinave materiale me prejardhje njerëzore veçse i ndihmon natyrës në riciklimin e përgjithshëm të natyrës . Por riciklimi i suksesshëm i njerëzve të padobishëm apo të dëmshëm për shoqërinë e drejton një vend drejt greminës dhe në kufijtë e pashpresës . Shteti patrimonial i konvenon vetëm oborrtarëve, që me lidhjet e tyre nuk mbesin nyje pa e kontrolluar.