Kostoja e punës rritet gati 12% në Shqipëri

Tiranë | 25 Pri 2018 | 13:44 | Nga

Kostoja mesatare e punës në Shqipëri për një orë është rritur gati 12% në katër vite të vlerësuara nga INSTAT. Anketa e publikuar së fundi nga Instituti i Statistikave, tregon se kostoja mesatare për një ore pune ishte 351 lekë në vitin 2016.

Kostot ndryshojnë në varësi të numrit të punonjësve në një kompani, dhe sipas INSTAT rritjen më të madhe e kanë shënuar kompanitë e mëdha.  Në ndërmarrjet me 10-49 të punësuar, kostoja mesatare orare për njësi pune me kohë të plotë është 303 lekë. Për ndërmarrjet me mbi 1 mijë të punësuar kostoja orare është 438 lekë. Në këtë segment, kostoja e punës është rritur gati 21%. Rritjen më të ulët e kanë bizneset me 50-249 punonjës (6,5 %).

Sipas INSTAT anketa është kryer në terren në Prill-Maj të vitit të kaluar. Anketa e Kostos së Punës publikohet një herë në 4 vjet.

Kostot e punës përfshijnë pagesat për punonjësit, pagat në kesh dhe në natyrë, kontributet për sigurimet shoqërore – pjesa e punëdhënësit, kostot e trajnimit professional dhe shpenzime të tjera (si rekrutim, veshje, strehim)

Sipas tabelave të paraqitura nga INSTAT, sipërmarrjet me koston më të lartë janë në sektorin bankar dhe të sigurimeve, ku kostoja e punës në një orë është 700 lekë. Kjo ndiqet nga sektori i Informacionit dhe Komunikacionit (521 lekë/orë) dhe Energji elektrike, furnizimit me gaz, avull dhe ajër të kondicionuar (493 lekë/orë).

Koston më të ulët e ka sektori i akomodimit me 241 lekë për orë. (Businessmag.al)

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme