KQZ-ja i thotë jo kryetarit të Kamenicës për referendum, thonë se nuk ka bazë ligjore

Prishtinë | 27 Maj 2019 | 14:23 | Nga Besiana Dauti Shkarko Videon HD

Për ta shkarkuar videon ju lutem kyçuni ose regjistroni një llogari të re!

| Regjistrohu

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) ka refuzuar kërkesën e kryetarit të Komunës së Kamenicës, Qëndron Kastrati për organizimin e një referendumi konsultativ për reformën në arsim, raporton Ekonomia Online.

Për shkak se sipas tyre nuk ka bazë ligjore për ta bërë një gjë të tillë sepse Kosova ende nuk ka Ligj për Referendum.

Kryesuesi i Këshillit për Çështje Ligjore të KQZ-së, Florian Dushi tha se Këshilli e ka shqyrtuar kërkesën e Kastratit por që është negative.

“Kërkesa e kryetarit të Kamenicës ka qenë për të organizuar për një temë të veçantë një referendum këshilli e ka shqyrtuar kërkesën natyrshëm meqë Ligji për Referendum mungon pavarësisht faktit se KQZ-ja konsiderohet si institucion përgjegjës sipas Kushtetutës për të organizuar referendum në mungesë të Ligjit përgjigjen e kemi të bashkëngjitur, konsideroj se e ka të pamundur organizimin e një referendumi të tillë sipas kërkesës së kryetarit të Kamenicës”, tha Dushi.

Përgjigja e Këshillit u aprovua nga gjithë anëtarët e KQZ-së.

Në përgjigjen e KQZ-së thuhet:

Në bazë të nenit 139 të Kushtetutës së Kosovës, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve është organ i përhershëm që përgatit, mbikëqyr, drejton dhe verifikon të gjitha veprimet që kanë të bëjnë me procesin e zgjedhjeve dhe referendumet, si dhe shpall rezultatet e tyre.

Edhe përkundër kompetencave kushtetuese në organizimin e referendumit, mungesa e ligjit të veçantë për referendum, ia pamundëson KQZ-së organizimin e referendumit.

Ligji për Zgjedhjet e Përgjithshme në Republikën e Kosovës dhe Ligji për Zgjedhjet Lokale nuk e përfshin në kornizën ligjore dhe institucionale referendumin si mekanizëm për deklarim për çfarëdo çështje lokale apo qendrore, duke përfshirë edhe çështjen e propozuar nga komuna e juaj.

Prandaj, bazuar në arsyet e lartcekura, kërkesa e juaj është e pabazuar dhe nuk mund të miratohet.

Kryetari i Komunës së Kamenicës, Qëndron Kastrati, i është drejtuar Komisionit Qendror të Zgjedhjeve me kërkesë për organizimin e një referendumi konsultativ për reformën në arsim.

“Arsimi është një nga problemet akute dhe prioriteti më i lartë në Kamenicë. Prandaj e konsideroj të domosdoshme që qytetari i komunës sonë të përfshihet drejtpërdrejt në vendimmarrje rreth reformës të cilën duam ta ndërmarrim”.

“Reforma e propozuar është komplekse dhe po të mendoja thjesht si politikan karriere nuk do të kisha asnjë arsye t’i futem kësaj sfide. Por në situatën ku jemi, dhe gjendjen ku është katandisur arsimi dhe në çfarë kushte mësojnë nxënësit; është bërë e pashmangshme”, ka thënë Kastrati përmes Facebook.

“Sakrificat që koha i kërkon prej nesh janë të natyrave të ndryshme. Dikur sakrifica për të ardhmen ishte  përpjekje për liri, sot ajo është përkushtim që liria të mos jetë thjesht e kundërta e pushtimit, por ndërtimi i jetës e hapja e perspektives”.

Ai ka pohuar se kjo reformë është perspektiva për të cilën do të punojnë, raporton EO.

“Kjo reformë, për mua është më shumë sesa qeverisje, është kauzë për të cilën kemi punuar me seriozitet. Andaj, së bashku mund të vendosim për të ardhme më të mirë të fëmijëve tanë dhe komunitetit në përgjithësi”.

Të ngjashme