Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) ka marrë vendim që të rinumërohen edhe 3 vendvotime, raporton Ekonomia Online. Ndërkaq, një tjetër në mbetet në shqyrtim.
Debat të gjatë anëtarët e KQZ-së zhvilluan për mungesën 450 fletëvotimeve në një vendvotim në Skenderaj. Për këtë vendvotim, KQZ-ja do të pres një rekomandim nga Zyra Ligjore.
Burim Ahmetaj, koordinator në Qendrën e Numërimit dhe të Rezultateve (QNR), tha se ka pasur mospërputhje të personave që kanë votuar dhe votave.
Prandaj sipas tij, siç janë rinumëruar 530 vendvotime për të njëjtat probleme duhet të rinumërohen edhe tri të tjera.
“Nga 530 vendvotime ka qenë disa vendvotime që nuk përputheshin dhe nuk hynin në bazën e të dhënave. Pas të gjitha kontrolleve më të thella janë tri vendvotime ku kemi mospërputhje të votave. Dy janë në komunën e Podujevës dhe një të në komunën e Prizrenit, ku natyra është e njëjtë për ato që janë rinumëruar më parë”.
“Andaj rekomandimi është që tri vendvotime duhet të rinumërohen, ndërsa një vendvotim tjetër është më specifik në bazën e të dhënave ku proceduralisht është në rregull aty”.
Sa i pëket mungesë së fketëvotimeve në Skenderaj, ai tha se janë dorëzuar 750 vendvotime, kanë votuar 300 persona dhe mungojnë 450 fletëvotime.
Ai ka propozuar që mos të procedohen fare për në rezultatet këto vota, edhe pse janë futur në sistem.
“Vendvotimi në fjalë tek rubrika ku thotë për fletëvotimet e dëmtuara, është për shkak të një natyre tjetër që ka shkuar në rinumërim, por mungojnë 450 fletëvotime këtu dhe ku në libri e evidentimit komisionerët kanë shkruar se janë vjedhur”.
“Rekomandimi ynë është që ky vendvotim të mos përfshihet në rezultat. Gjithë materiali ka përfunduar. Më nuk mund të pranojmë materiale tjera. Në këtë vendvotim 750 janë dorëzuar, 450 mungojnë nuk janë brenda kutisë së votimit, një është i dëmtuar, 299 janë brenda kutisë së votimit, ku 13 janë të pavlefshme dhe 286 vota të vlefshme”.
“Mirëpo mungesa e fletëvotimeve të papërdorura na jep tejkalimin e tolerancës për 450. Pra sistemi në gjendjen siç është nuk e lejon të kaloj ky vendvotim por gjendja nuk do të ndërroj në asnjë rrethanë. Rekomandimi ynë është që të hiqen nga rezultati i votave ky vendvotim”.
Kryetarja e KQZ-së, Valdete Daka, ka thënë se për rastin e Runikut është njoftuar edhe PZAP-ja, por edhe Prokuroria.
“Është vendvotim i dyshimtë. Ne nuk e dimë kush i ka mbushur ato fletëvotime. Në një vendvotim ku mungojnë 450 fletëvotime dhe nuk e dimë se ku kanë shkuar atëherë është çështje tjetër”, ka thënë ajo.
Adnan Rrustemi nga LVV-ja ka kërkuar verifikim për këtë rast, raporton EO.
“Sa për të mos marrë vendim KQZ kisha kërkuar që të verifikohet dhe të sjellët informacion më i detajuar dhe të merret një vendim ditëve në vazhdim. Nuk duhet të trajtohet vetëm në rastin që nuk e lejon sistemi”.
Edhe Sami Hamiti nga LDK-ja ka propozuar që mos të merret vendim i ngutshëm për këtë rast.
“Duhet trajtuar më gjerë këtë vendvotim, nuk mund t’ua hupim të drejtën atyre që kanë votuar, nuk është e lehtë. A ka mundësi të shkohet në rinumërim”.
Hamiti më pas ka kërkuar edhe informacion për votat e ardhura nga Serbia.
“Nuk kam marr asnjë informacion rreth procesimin e votave të ardhura nga Serbia se si ka ndodhë. Nuk kemi pasur as një informatë ndaj anëtarëve të KQZ-së se çfarë ka ndodhur nga ato vota. E keni marrë kërkesën time po s’keni dashur të informoni. Arsyetimi i kryeshefit është qesharak. Niveli i komunikimit me e-mail ka qenë gjithmonë”.
Kurse Adnan Rrustemi nga LVV-ja ka kërkuar informatë për 4500 zarfet nga diaspora.
“Kam kërkuar në vazhdimësi të procedohen 4500 zarfe të ardhura nga mërgata që kanë arritur pas datës së zgjedhjeve. Kërkoj informatë nga sekretariati mbi gjendjen e këtyre zarfeve a janë verifikuar, ku për të njëjtat kemi paraqitur ankesë në Gjykatën Supreme”.