Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) njofton se ka pranuar kërkesën nga Ambasadori i Mbretërisë së Bashkuar në Kosovë, Ruairi O’Connell, në emër të përfaqësuesve të katër shteteve mike të Kosovës.
KQZ në përgjigje të kësaj kërkese, e çmon lartë interesimin e shprehur, por edhe ndihmën e vazhdueshme që këto shtete kanë dhënë për Republikën e Kosovës dhe për institucionet e saj, me theks të veçantë për ndihmën e dhënë KQZ-së.
“Në këtë drejtim, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka marrë vendim që të shtyjë deri ditën e shtunë (03 dhjetor) afatin për aplikim për akreditim të vëzhguesve ndërkombëtarë për të vëzhguar Zgjedhjet e Jashtëzakonshme për Kryetar të Komunës së Drenasit (Gllogocit) që do të mbahen më 04 dhjetor 2016, konform dispozitave ligjore për rolin e vëzhguesve të zgjedhjeve”, thuhet në njoftimin e KQZ-së.
Kurse, lidhur me kërkesën specifike, KQZ-ja, duke u mbështetur edhe në ligjet në fuqi, njofton se nuk ka pasur asnjë pengesë që këtë proces, ndonëse i jashtëzakonshëm, ta implementojë deri në fund me sukses të plotë.
“Gjithashtu, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve, si institucion i pavarur i përcaktuar në Kushtetutën e Republikës së Kosovës, nuk ndërhyn në çështjet politike nga cilido drejtim që ato mund të shfaqen dhe as në problemet e sigurisë. Janë institucionet e caktuara të vendit, që kanë përgjegjësitë e ndara, përfshirë edhe gjatë zgjedhjeve”, thuhet në njoftim.
“Në fund, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve bën të njohur se ka arritur shkallë të lartë mobilizimi në përgatitjet dhe implementimin e proceseve zgjedhore, ngjashëm edhe lidhur me procesin e zgjedhjeve të jashtëzakonshme për kryetar të Komunës së Drenasit (Gllogocit)”, thuhet në njoftim.