Krasniqi kritikon opozitën: Konstruktiviteti po lexohet si garë për pushtet, jo përgjegjësi

Prishtinë | 22 Pri 2026 | 17:30 | Nga Ekonomia Online

Albert Krasniqi nga Demokracia Plus, ka kritikuar qasjen e opozitës ndaj zhvillimeve politike në vend, duke thënë se ajo po tregohet gabimisht “konstruktive” në një moment të papërshtatshëm.

Përmes një postimi publik, Krasniqi vlerëson se opozita po humb kohë duke u përpjekur të dëshmojë se kush mban fajin për mundësinë e mbajtjes së zgjedhjeve.

“Opozita gabimisht po tregohet ‘konstruktive’, dhe po investon kohë për të dëshmuar se ‘kush e ka fajin’ për shkaktim të zgjedhjeve”, ka shkruar ai.

Sipas tij, një qasje e tillë nuk përkthehet në përfitim elektoral për partitë opozitare.

“Konstruktiviteti në opozitë nuk shpërblehet me mbështetje elektorale. Po të vlente kjo logjikë, Lëvizja Vetëvendosje nuk do t’i kishte fituar asnjëherë zgjedhjet”, theksoi Krasniqi.

Ai shton se kjo sjellje po perceptohet ndryshe nga publiku.

“Ky ‘konstruktivitet’ sot po lexohet më shumë si ngarendje për pushtet sesa si përgjegjësi shtetërore”, ka deklaruar ai.

Krasniqi ka ngritur edhe çështjen e kundërthënieve mes deklarimeve dhe veprimeve të opozitës, sidomos në raport me qëndrimet ndaj Lëvizjes Vetëvendosje.

“Nëse Lëvizja Vetëvendosje konsiderohet parti me prirje autoritare, atëherë zgjedhjet janë mekanizmi demokratik që e frenon dhe e sfidon atë”, ka shkruar ai.

Ai theksoi se fokusi nuk duhet të jetë te fajësimi, por te qëllimi politik.

“Në fund, pak rëndësi ka kush e bart fajin. Me rëndësi është kauza për të cilën shkohet në zgjedhje!”, shtoi Krasniqi.

Të ngjashme