Krasniqi: Kushtëzimi i anëtarësimit në KiE me Asociacionin, sinjal i keq për komunitetet joshumicë

Prishtinë | 14 Maj 2024 | 10:32 | Nga Ekonomia Online

Ministri i Administrimit të Puhstetit Lokal, Elbert Krasniqi, ka vlerësuar se nga anëtarësimi i Kosovës në Këshillin e Evropës (KiE) përfitojnë veçanërisht komunitetet joshumicë.

Sipas tij, kushtëzimi i anëtarësimit të Kosovës në këtë organizatë nga lidershipi aktual i Evropës, me Asociacionin e komunave me shumicë serbe është sinjal shumë i keq për komunitetet joshumicë në Kosovë.

“Së pari, Asociacioni nuk është kërkesë e serbëve të Kosovës. Me Kushtetutë, serbët e Kosovës e kanë të drejtën dhe lirinë e asociimit si çdo komunitet tjetër. Së dyti, me këtë kushtëzim, krerët e disa prej shteteve evropiane fatkeqësisht po tregojnë se nuk u intereson edhe aq fuqizimi i komuniteteve tjera joshumicë në Kosovë, si rom, ashkali, egjptian, turk, goran e të tjerë, të cilët më së shumti do të përfitonin nga mekanizmat e Këshillit të Evropës”, ka shkruar Krasniqi në Facebook.

Së treti, sipas tij, prioritizimi dhe insistimi në mekanizma e entitete një etnike rrezikon që në Kosovë të krijohet një superkomunitet joshumicë, siç ka thënë ai, duke e shthurur kështu harmoninë kushtetuese që ekziston ndërmjet komuniteteve joshumicë.

“Si qytetar i kësaj Republike e së dyti si egjiptian në Kosovë, kjo më shqetëson jashtëzakonisht shumë”, ka shkruar Krasniqi.

Të ngjashme