Shefi i grupit parlamentar të PDK-së, Memli Krasniqi, tha se deputetët e kësaj partie kanë qëndrim unik sa i përket iniciativës për zhbërjen e Gjykatës Speciale.
“Shumica dërmuese e deputetëve të PDK-së e kanë nënshkruar iniciativën, është shprehur një qëndrim, por s’do të flas në emër të grupit parlamentar. Në këtë drejtim ne nuk kemi ndryshuar nga qëndrimet që ka shprehur kryetari i PDK-së, sepse ai është përfaqësuesi më i lartë i PDK-së”.
Pas mbledhjes së kryesisë Krasniqi gjithashtu ka hedhur poshtë deklarimet e deputetëve të LDK-së nga një takim parlamentar të Kosovës me deputetë të Parlamentit Europian në Strasbourg.
“Nuk është e vërtetë që qëndrimi i koalicionit qeverisës ka ndikuar që të dështojë miratimi i konkluzioneve të përbashkëta në mes të Parlamentit Evropian dhe Kuvendit të Kosovës. Kjo ka ndodhur për shkak të qëndrimit të përbashkët të deputetëve të LDK-së dhe të Listës Serb”.
“Ata bashkërisht kanë kundërshtuar amendamentin që ishte të bënte me Specialen. Deputetët e PDK –së vetëm kanë abstenuar gjatë votimit të këtij amendamenti”.
Në takimin që u mbajt ndërmjet përfaqësuesve të dy parlamenteve, temë ishte edhe nisma për shfuqizimin e Ligjit për Dhomat e Specializuara.
Sipas kumtesës së LDK-së, deputetët e kësaj partie rikonfirmuan qëndrimin se LDK do të vazhdojë të kundërshtojë çdo ide që ka për qëllim dëmtimin e sovranitetit të vendit dhe të partneritetit me shtetet mike. Deputetët po ashtu diskutuan lidhur me sundimin e ligjit, dialogun Kosovë-Serbi, krimet e kryera nga Serbia në Kosovë dhe tema të tjera lidhur me zhvillimet e fundit në Kosovë.