Kryetari i Këshillit Kombëtar i Nismës Socialdemokrate dhe ish-kryetari i Kuvendit të Kosovës Jakup Krasniqi gjatë një interviste për gazetën “Zëri” ka folur edhe për transformimin e Forcës së Sigurisë së Kosovës në Forca të Armatosura.Sipas tij, në bazë të Pakos së Ahtisaarit nuk parashihet që ushtria të bëhet me 2/3 e votave të komuniteteve pakicë.
“Unë duke qenë sidomos në pjesën e dytë të bisedimeve të Vjenës në dokumentin gjithëpërfshirës për zgjidhjen e statusit politik të Kosovës, të njohur si Dokumenti i Ahtisaarit, realisht 2/3 e votave të komuniteteve pakicë në Kuvendin e Kosovës ka qenë e paraparë kryesisht për të drejtat që prekin interesat e drejtpërdrejta të komunitetit pakicë. Konsideroj që çështja e ushtrisë nuk është çështje e cila duhet të konsiderohet si e drejtë substanciale e komunitetit pakicë, por në Kushtetutën e Kosovës shkruan ashtu”.
“Do të ishte mirë që një numër i caktuar i deputetëve (40 deputetë) të Kosovës t’ia parashtrojnë një pyetje Gjykatës Kushtetuese se ekziston dallimi për këtë çështje në mes të Kushtetutës sonë dhe Dokumentit të Ahtisaarit. Atje nuk është paraparë që çështja e ushtrisë të jetë me 2/3 e votave të komuniteteve pakicë, kurse në Kushtetutë parashihet. Është thënë se kur një e drejtë e sanksionuar në Kushtetutën e Kosovës nuk është në përputhje me të drejtën e paraparë me Marrëveshjen Ndërkombëtare, atëherë Marrëveshja Ndërkombëtare është e vlefshme” .
Ai mendon që Kosova nuk duhet të bie ndesh me komunitetin ndërkombëtar, pasi thotë se kemi arritur të koordinohemi me ta edhe për shpalljen e pavarësisë së Kosovës dhe duhet ta ruajmë bashkëpunimin me ta.
“Ne duhet të kërkojmë nga komuniteti ndërkombëtar, nga BE-ja e ShBA-ja që në këtë rrafsh ta gjejmë mënyrën që ta kapërcejmë këtë pengesë. Kosovës i nevojitet siguri më e madhe. I nevojitet ushtria dhe sigurisht as që mendohet që kjo ushtri rrezikon paqen në rajon për faktin se janë të tjerët ata që po e bëjnë një gjë të tillë, po mendoj për Serbinë, e cila po rri në dy karrige. Në njërën anë do të bëhet pjesë e BE-së dhe në karrigen tjetër një orientim goxha i dukshëm pro Rusisë”.
“Mendoj që perëndimi duhet t’ia bëjë të qartë Beogradit që ta zgjedhë një rrugë. Mendoj që në një periudhë të shkurtër kohore edhe kjo çështje do të zgjidhet, por duhet të jetë një këmbëngulje më e madhe e institucioneve të Kosovës për ta formuar ushtrinë e saj”, tha ai.