Profesori universitar Milazim Krasniqi ka vlerësuar se zgjedhjet parlamentare nuk po arrijnë të ofrojnë zgjidhje për problemet e grumbulluara të shoqërisë, duke theksuar se përgjegjësia nuk bie vetëm mbi partitë politike, por edhe mbi vetë qytetarët.
Në një reagim publik, Krasniqi shprehet se shoqëria nuk po tregon aftësi për ta ndryshuar veten përmes procesit zgjedhor dhe nuk po e shfrytëzon votën si mundësi për të hapur një perspektivë më të mirë.
Sipas tij, zgjedhjet po përdoren për të rikthyer në pushtet individë dhe grupe që, sipas vlerësimit të tij, kanë kontribuar në degradimin moral, kombëtar, fetar dhe politik të vendit.
Profesori universitar thekson gjithashtu se një pjesë e madhe e shoqërisë është e përqendruar te përforcimi i figurave që ai i cilëson si të forta, arrogante, madje edhe me prirje kriminale, në vend që të kërkojë largimin e tyre nga politika.
Krasniqi shton se si mbështetësit e partive dhe individëve të tillë, ashtu edhe qytetarët që zgjedhin indiferencën ose bojkotojnë mundësinë e ndryshimit, mbajnë përgjegjësi për gjendjen aktuale, duke i konsideruar të dyja grupet pjesë të së njëjtës kulturë politike që, sipas tij, pengon ndryshimin.