KRU “Gjakova” me apel për qytetarët: Letrat higjienike, mos i hidhni në tualet!

Gjakovë | 19 Maj 2022 | 14:24 | Nga Ekonomia Online

KRU “Gjakova”, ka bërë të ditur se ujërat nga kanalizimi që deri tani kanë ndotur lumin “Erenik”, po pastrohen sipas standardëve më të larta nga Impianti për Trajtim të Ujërave të Ndotura. “Letrat higjienike  janë të patretshme në ujë dhe vështirë  shpërbëhen apo të trajtohen! Prandaj, e vetmja formë e parandalimit të situatave të tilla është prania sa më e pakët e mbeturinave të tilla në sistem të kanalizimit”, thuhet në apelin e KRU “Gjakova”.

“Letrat higjienike të lagura një sfidë për sistemin e kanalizimit- Mos i hidhni  në tualet!.  Të nderuar konsumatorë,. Ujërat nga kanalizimi që deri tani  kanë ndotur lumin “Erenik”, tani po pastrohen sipas standardëve më të larta nga Impianti për Trajtim të Ujërave të Ndotura, i cili punon me kapacitete të plota të trajtimit dhe që monitorohet 24/7 nga stafi jonë. Megjithatë, ajo çfarë seriozisht po sfidon procesin trajtues janë gjësendet e ngurta të cilat hidhen në mënyrë të pa kontrolluar në kanalizim, e sidomos letrat higjienike të lagura të cilat arrijnë deri tek pajisjet e pastrimit duke bërë edhe bllokimin e tyre, e në  raste ekstreme edhe duke nxjerrë ato jashtë funksionit.  Letrat higjienike  janë të patretshme në ujë dhe vështirë  shpërbëhen apo të trajtohen! Prandaj, e vetmja formë e parandalimit të situatave të tilla është prania sa më e pakët e mbeturinave të tilla në sistem të kanalizimit”, thuhet në njoftimin e KRU “Gjakova”.

“Për këtë arsye, KRU Gjakova, me sinqeritetin më të madh, lutë të gjithë qytetarët, që tani e tutje, të shmangin hedhjen e letrave të tilla higjienike si dhe gjësendeve të tjera të ngurta  në guacën e tualetit , meqë një veprim i tillë do të ishte në të mirë të të gjithëve. Shpresojmë në mirëkuptimin tuaj!”.

Të ngjashme