Kryeqyteti ndan 50 mijë euro për KB Prishtinën

Prishtinë | 25 Sht 2026 | 14:10 | Nga Ekonomia Online

Kuvendi Komunal i Prishtinës ka ndarë 50 mijë euro subvencion për KB Sigal Prishtinën, klub i cili gjendet në gjendje të rëndë financiare si pasojë e borxheve të akumuluara ndër vite.

Për shkak të gjendjes aktuale financiare, Prishtina nuk ka arritur të zhvillojë ndeshjen e parë në ligën vendore këtë sezon.

Propozimi për t’i dalë në ndihmë erdhi nga Granit Geci, asamblist i PDK-së në Kuvendin Komunal të Prishtinës.

“Kemi gjetur një dakordim që t’i mbështesim me një shumë prej 50 mijë eurove, shumë e cila do të mund të bënte shlyerjen e një pjese të borxheve ndaj ATK-së, FBK-së dhe Basketball Arbitral Tribunal, i cili mundëson që Sigal Prishtina të zhvillojë lojë në gara ndërkombëtare, që fatkeqësisht kohëve të fundit nuk ka pasur mundësi t’i zhvillojë këto si pasojë e këtyre obligimeve”, tha asamblisti Geci.,

Kjo, sipas tij, është një pako shpëtimi që t’i ndihmohet sadopak klubit të Kryeqytetit, duke bërë thirrje që kjo pikë e rendit të ditës së votohet.

Asamblistja e LVV-së, Nora Kelmendi, tha se nuk është kundër që t’i dilet në ndihmë financiare klubit, por kërkoi të dihet nëse ka bazë ligjore.

Kolegu i tij nga PDK, Granit Geci, tha se mjetet ndahen nga kategoria e subvencioneve, sepse, sipas tij, është e pamundur që të ndahen përmes kategorive tjera.

Gëzim Sveçla nga LVV, tha se nuk e konteston ndihmën për klubin, por shtoi se këto mjete të propozuara nuk mjaftojnë.

Ai tha se nëse Sigal Prishtina nuk arrin ta zhvillojë edhe ndeshjen e dytë sezonale, do të përjashtohet nga liga.

Prandaj, theksoi Sveçla, propozimi i sotëm duhet të jetë në rregull ligjërisht.

Pas debatit, asamblistët e Prishtinës votuan pro ndarjes së ndihmës financiare për Sigal Prishtinën me 35 vota për, 1 kundër dhe asnjë abstenim. 

Të ngjashme