Kryeredaktori i Kohës u largua pasi u propozua ambasador, deputetja e pushtetit i uron suksese

Prishtinë | 28 Tet 2021 | 12:55 | Nga Ekonomia Online

Shefja e Grupit Parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje, Mimoza Kusari, i ka uruar fat dhe suksese gazetarit Agron Bajrami, i cili nga pozita e kryeredaktorit në gazetën Koha Ditore, është propozuar të bëhet ambasador i Kosovës në Belgjikë.

Kusari komentoi në postimin e drejtoreshës së Kohës, Flaka Surroi, duke i uruar suksese edhe asaj dhe gazetës.

“Shumë suksese Agron Bajrami e shumë fat e suksese edhe grupit Koha e Flaka Surroi në rrugëtimin tuaj tutje”, ka shkruar Kusari.

Pas karrierës disavjeçare si kryeredaktor në gazetën “Koha Ditore”, Bajrami tani mund të nisë një tjetër karrierë si diplomat në kryeqytetin e Bashkimit Evropian, që njihet si qendër e administratës për Evropën.

Sapo është kontaktuar nga Gazeta Express, Bajrami i ka paraprirë pyetjes, duke thënë që gazeta t’ia drejtojë pyetjet Ministrisë së Punëve të Jashtme.

Nga MPJD-ja ende nuk kanë kthyer përgjigje për të konfirmuar se Bajrami është i propozuari për ambasador të Kosovës në Belgjikë.

Të ngjashme