Kryesuesit llogarisin në fitore sot

Prishtinë | 28 Pri 2021 | 10:31 | Nga Ekonomia Online

Ballkani, Drita e Prishtina shihen si favoritë në duelet përkatëse në kuadër të xhiros së 31-të, e cila luhet sot

Superliga e futbollit vazhdon me ndeshjet e xhiros së 31-të, të cilat do të luhen në mesjavë.

Tri skuadrat pretendente për titull të kampionit, Ballkani, Drita dhe Prishtina llogarisin në fitore në duelet përkatëse.

Lideri nga Suhareka pas ankesave për kurdisje, ku i akuzoi rivalët për titull, do të zbresë në fushën e blertë për t’u përballur me Llapin.

Therandasit do t’i kërkojnë tri pikë, për ta ruajtur lidershipin.

Nga ana tjetër, llapjanët do të luajnë pa presion pasi gjenden në pozitën e pestë në tabelë.

Ndërkohë, kampionia aktuale, Drita do ta vizitojë Besën e dorëzuar, shkruan Gazeta Express.

Gjilanasit nuk pritet të hasin në ndonjë problem për t’u kthyer në shtëpi me tri pikë.

Prishtina, nga ana e saj, e motivuar pas fitores në derbi me Dritën, e ka në mendje t’i mbajë pikët në shtëpi.

Bardhekaltrit do t’i bëjnë gosti Trepçës ’89, e cila po ashtu ka nevojë për pikë.

Në duelin tjetër, Gjilani luan pa presion ndaj Drenicës, e cila do të kërkojë pikë për shpëtim.

Të gjitha ndeshjet e kësaj xhiroje fillojnë në orën 15:00. 

Të ngjashme