Kryetarët e komunave në vizitë studimore në Kroaci

Prishtinë | 11 Tet 2016 | 17:56 | Nga

Kryetarë dhe nënkryetarë të komunave, përfaqësues nga Qeveria e Kosovës, përfaqësues të Asociacionit të Komunave të Kosovës dhe të GIZ-së morën pjesë në një vizitë studimore në Kroaci më qëllim të shkëmbimit të përvojave në sektorin e menaxhimit të mbeturinave.

Delegacioni nga Kosova vizitoj Ministrinë e Mjedisit dhe Mbrojtjes së Natyrës, komunat Zapresic dhe Brdovec, dhe Kompaninë e Shërbimeve Publike në qytetin e Zagrebit, njofton kumtesa zyrtare.

Në Ministrinë e Mjedisit dhe Mbrojtjes së Natyrës, delegacioni u prit nga zëvendës ministrja znj. Lidija Runko Luttenberger. Në këtë takim u prezantua korniza ligjore për menaxhimin e mbeturinave dhe obligimet ligjore për qytete dhe komuna.

Delegacioni vizitoi edhe qytetin e Zapresic dhe komunën Brdovec, ku u diskutua sistemi i menaxhimit të mbeturinave në nivel komunal. Aty u theksua roli dhe përgjegjësia e kryetarëve të komunave si udhëheqës të reformave për përmirësimin e gjendjes mjedisore.

Vizita është organizuar në kuadër të skemës aktuale “Gara për Mjedis të Pastër” që synon mobilizimin e komunave dhe ministrive përkatëse për të përmirësuar sistemin e menaxhimit të mbeturinave në Kosovë. Vizita është mbështetur nga Shoqëria Gjermane për Bashkëpunim Ndërkombëtar (GIZ), përkatësisht programi “Shërbimet e Qëndrueshme Komunale”.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme