Kryetari i Malishevës reagon pas vdekjes së 35-vjeçares e cila u trajtua në një klinikë private

Prishtinë | 23 Gus 2023 | 15:28 | Nga Ekonomia Online

Leonora Shala e moshës 35-vjeçare nga fshati Ngucat i komunës së Malishevës ka ndërruar jetë një ditë më parë.

E ndjera fillimisht u trajtua tek klinika e familjes Karaxha në Malishevë për shkak të dhimbjes së dhëmbit, por më pas gjendja e saj u përkeqësua për tu dërguar në QKUK me urgjencë, ku edhe ndërroi jetë.

Në anën tjetër, kryetari i Malishevës, Ekrem Kastrati tha se shpreh keqardhje për rastin që ka ndodhë një ditë më parë.
“Ndihem vërtet keq që një qytetarë e komunës sonë ka ndërruar jetë. Klinika për të cilën po raportohet se është trajtuar e ndjera, është private. i shpreh ngushëllimet më të sinqerta familjes së të ndjerës. Poashtu bëj thirrje që ky rast të ndriçohet në tërësi”, ka thënë Kastrati për IndeksOnline.

Kujtojmë se Xhavit Karaxha dhe Hanife Karaxha janë arrestuar me akuzën për trajtim të pandërgjegjshëm mjekësor.

Ndërsa, Ministria e Shëndetësisë përmes Inspektoratit Shëndetësor, në bashkëpunim me Policinë e Kosovës, menjëherë ka ndërmarrë të gjitha veprimet konform kompetencave pas rastit tragjik që rezultoi me fatalitet për një qytetare.

“Një ngjarje e tillë, në rrethana kur një qytetare humb jetën pas marrjes së shërbimeve stomatologjike në Institucionin Privat Shëndetësor “Doktorat” të cilët kanë ushtruar veprimtari ilegale, është e pa tolerueshme dhe do të angazhohemi që të ofrojmë të gjitha provat për dënime maksimale ndaj kryerësve të kësaj vepre të rëndë. Njëkohësisht, Ministria e Shëndetësisë njofton se janë shqyrtuar edhe raportet e komisionit të licencimit lidhur me veprimtarinë e këtij institucioni privat. Të gjitha këto të dhëna janë në dispozicion të Policisë së Kosovës dhe Odës së Stomatologëve të Kosovës si organe kompetente në funksion të zbardhjes së plotë të rastit, me qëllim që autorët e kësaj vepre të rëndë të marrin dënimin e merituar”, thuhet ndër të tjera në komunikatën e Ministrisë së Shëndetësisë.

Të ngjashme