Deputetja e Lëvizjes Vetëvendosje, Arbëresha Kryeziu-Hyseni, ka deklaruar se subjekti i saj ka bërë përpjekje të vazhdueshme për zgjedhjen e presidentit të ri të Republikës së Kosovës, para fillimit të seancës së jashtëzakonshme të Kuvendit, raporton Ekonomia Online.
Ajo ka theksuar se Vetëvendosje ka qenë e gatshme edhe për kompromise, përfshirë tërheqjen e një kandidature nëse opozita do të propozonte një emër të pranueshëm.
“Besoj i dini hapat e vazhdueshme, gjeneroze, që Lëvizja Vetëvendosje i ka pasur për me e zgjedh presidentin e ri të Republikës së Kosovës. Madje tash së fundmi, edhe ma e reja, pra kemi thënë që jemi të gatshëm ta tërheqim njërën kandidaturë nëse opozita vlerëson se ka një kandidat,” ka deklaruar Kryeziu-Hyseni.
Sipas saj, mungesa e një kandidati nga opozita deri në këtë fazë tregon mungesë vullneti për zgjidhje.
“Por nëse më pyesni mua, nëse ata s’kanë pasur një kandidat deri më tani, s’besoj që do të mund të jenë përcaktuar brenda këtyre dy orëve të fundit për një emër… sepse nuk po duan t’i ofrojnë vendit zgjidhjen nëpërmjet votimit për zgjedhur presidentin e ri të Republikës së Kosovës, por po duan që ta çojnë vendin në një proces të ri zgjedhor,” është shprehur ajo.
Deputetja e VV-së ka akuzuar opozitën se qëllimi i saj i vetëm është bllokimi institucional dhe dërgimi i vendit në zgjedhje të reja.
“Sepse kështu, nëpërmjet kësaj, ata do ta pamundësojnë punën e qeverisë Albin Kurti dhe po besoj që po shpërfaqet mjaftueshëm mirë e qartë që ky është i vetmi qëllim i opozitës,” ka thënë ajo.
Ajo ka përmendur edhe kandidaturën e Feride Rushiti, duke e cilësuar si figurë apartiake me mbështetje të konsiderueshme në Kuvend.
“Në kundërtën, ju e keni parë mbrëmë që ne tashmë e kemi një kandidate, e cila është apartiake, zonja Feride Rushiti… e cila dje me votë ka dëshmuar që është e vetmja kandidate deri sot që ka pasur 63 vota të deputetëve në Kuvend në raundin e parë të votimit,” ka deklaruar Kryeziu-Hyseni.
Ajo ka shtuar se zgjedhja e presidentit do të ishte e mundur nëse opozita merr pjesë në proces.
“Pra ne tashmë e kemi një kandidate e cila ka potencialin për t’u zgjedh presidente në rast se opozita do të merrte pjesë në seancë. Por bojkotimi i opozitës… tregon që ata janë të interesuar ta shkaktojnë një tjetër dëm të madh për qytetarët e vendit tonë,” ka shtuar ajo.
