Trajneri i njohur i xhudos, Driton Kuka, ka kritikuar praktikën e natyralizimit të sportistëve në Kosovë, duke kërkuar kritere të qarta dhe një strategji afatgjatë për zhvillimin e sportit dhe talentëve të rinj.
Në një reagim publik, Kuka ka thënë se mungesa e rezultateve në sportin kosovar po krijon situata shqetësuese për gjeneratat e reja, ndërsa ka ngritur shqetësime edhe për natyralizimin e fëmijëve.
Sipas tij, kjo praktikë nuk duhet të shndërrohet në strategji të Ministrisë përgjegjëse për sportin apo të Komitetit Olimpik të Kosovës (KOK).
“E kuptoj që ka dhe do të ketë natyralizime dhe kjo do të duhej të bëhej me kritere shumë të qarta. Nëse një sport ka nivel dhe një sportist shihet si përforcim i ekipit, jemi në rregull, por jo ndryshe”, ka shkruar Kuka.
Ai ka theksuar se Kosova ka talentë të shumtë, të cilët kanë dëshmuar se vendi mund të prodhojë sportistë të nivelit të lartë pa u mbështetur në natyralizime.
“ Kosova ka fëmijë të mirë dhe Majlinda, Nora, Distria, Donjeta, Akili e shumë të tjerë e kanë dëshmuar”, ka theksuar trajneri.
Kuka ka kërkuar gjithashtu krijimin e Këshillit Kombëtar të Sportit, përmes të cilit do të përcaktoheshin prioritetet dhe do të hartohej një strategji e qartë për zhvillimin e sportit në Kosovë.
Ai është shprehur i bindur se vendi ka potencial për të ndërtuar kampionë dhe për të fituar medalje në garat më të rëndësishme ndërkombëtare.
“Koha të kemi Këshillin Kombëtar të Sportit e të shohim çka është prioritet dhe të kemi strategji të qartë! Kosova din dhe mundet të ndërtojë medalje të arta evropiane, botërore e olimpike!”, ka shkruar Kuka.
Në fund të reagimit, trajneri ka rikujtuar sukseset olimpike të xhudos kosovare, duke vënë në pah kontributin e Pejës në ndërtimin e kampioneve olimpike.
“Tri të artat olimpike janë ndërtuar në Pejën e bukur me vajzat e lindura e të rritura në luftën tonë çlirimtare dhe të tria këto medalje flasin shqip”, ka përfunduar Kuka.