Dua me këmbëngulësinë shqiptare drejt majave të muzikës

Prishtinë | 03 Pri 2020 | 08:26 | Nga Ekonomia Online

Katër javë më parë Dua Lipa u kthye në Londër pas koncertit Mardi Gras në Sydney. E mori vesh se banesa i ishte vërshuar.

Këngëtarja me famë botërore mori me qira një tjetër banesë derisa po kryheshin rinovimet, por tani ka mbetur e ngujuar së bashku me të dashurin shkaku i izolimit.

“Po kënaqem në këtë periudhë. Po bëj gjëra që zakonisht nuk kisha mundësi t’i bëja. Po fle dhe po lexoj. Pastaj po shikoj emisione televizive”, ka thënë Dua Lipa në një intervistë telefonike me BBC-në.

Vetëm gjumi nuk ishte në agjendën e saj këtë muaj. Albumi i dytë i saj “Future Nostalgia” pritej të publikohej në fillim të prillit. Agjenda e saj e angazhimeve ishte e mbushur plotësisht për sivjet, duke filluar me turneun botëror, paraqitjen në Glastonbury dhe në emisionet e njohura televizive. Por kur artistët si Lady Gaga, Sam Smith dhe Haim vendosën t’i shtynin albumet shkaku i koronavirusit, Dua e bëri krejt të kundërtën.

Madje, për fansat e saj albumin e publikoi një javë para periudhës së planifikuar. Nuk ishte vendim i lehtë. Me lot në sy e dha lajmin për album, shto këtu faktin se projekti u publikua në internet (situatë të cilën më vonë e përshkroi si dhimbje fort të madhe). Krejt në fund ajo mendon se ishte më mirë që albumi u publikua lirshëm pa u brengosur për strategjinë e përkryer të publikimit. “Albumin e realizova për të ikur nga presioni dhe nga mendimet e ndryshme nga bota e jashtme”, ka thënë ajo. “Po, u mendua që të lëshohej nëpër klube dhe festivale, por në të njëjtën kohë doja që njerëzit të jenë të lumtur në këtë periudhë të vështirë dhe që nuk do t’u duhet të mendojnë se çfarë po ndodh, por vetëm të vallëzojnë”, ka shtuar krijuesja e hitit “Last Dance”, shkruan Koha Ditore.

Sukses i menjëhershëm

“Future Nostalgia” është në krye të toplistës britanike. Deri më tani është albumi më i vlerësuar i vitit 2020 me një vlerësim prej 88 pikësh në sistemin e vlerësimeve “Metacritic”. Siç e thotë edhe titulli, albumi duket si një rikujtim nga viti 2050 – melodia shpërthyese pop e përzier me basin e zhanrit funk dhe ritmet e diskos. Dua ka ëndërruar për një koncept të tillë që prej vitit 2018, kur po shëtiste nëpër rrugët e Las Vegasit. “Veçse kisha filluar të punoja në këngën dhe e dija se doja të ishte reflektim i ndikimeve të mia të fëmijërisë, mirëpo nuk e kisha zbuluar se në çfarë drejtimi do të shkoja”, ka kujtuar Dua Lipa. “Kisha kufjet dhe po ecja për ta kthjelluar kokën, papritur thashë: ‘Oh, më ra ndërmend, ‘Future Nostalgia’ mund të funksionojë’”, ka sqaruar ajo. Pastaj telefonova menaxherin tim dhe i thashë: ‘E kemi titullin, do të filloj të punoj për albumin’”. Kënga e parë që shtjellon esencën e kësaj ideje është “Levitating”. Një këngë e ëmbël po aq sa klasikja “Night Fever” e grupit “Bee Gees”. “Ishte këngë që i dha formë albumit”, ka thënë Dua, që ishte shumë e lumtur me fillimin e punëve në studio. “Kemi ngrënë shumë gjevrekë sa na zuri sheqeri”, ka thënë këngëtarja kosovare në një intervistë të shkurtër me fansat në rrjetet sociale.

“Njerëzit ju shohin si fabrikë”

Për dallim prej albumit të parë që e titulloi me emër, ajo i ka meritat për secilin tekst të këngëve. Si rezultat, e keni një panoramë të personalitetit të Duas: e mençur, punëtore, me pasion dhe dëshirë të madhe për vallëzim. “Në albumin e parë isha me fat që realizova këngët si ‘New Rules’ dhe ‘Be The One’, të cilat nuk i shkrova unë, por janë pjesë e rëndësishme e karrierës sime. “Por e ndjeva se kisha shumë punë për të bërë në këtë aspekt”. “Për një pop-artiste njerëzit ju shohin si fabrikë, por për këngët që kam shkruar unë isha në prova dhe ato janë përvoja personale. Këtë doja ta përmendja në secilën intervistë”, ka thënë Dua.

Kësaj here Dua ka thënë se nuk donte të refuzonte këngët e të tjerëve, por doli se ishte aq e frymëzuar sa e dinte se çfarë donte të thoshte me këngët e saj. Kjo është e qartë me dy këngë të albumit. Me të dyja që analizoj aspektet e ndryshme të feminizmit, njëra prej tyre ka një tekst kështu: “E di se ti nuk je mësuar me një grua alfa”. “Nuk po them se kënga tregon se çfarë jam. Por kur e këndon këtë këngë, e dini se doni të jeni e fuqishme”, ka thënë Dua. Mbyllja e albumit reflekton me këngën “Boys Will Be Boys” që ngre zërin e frikës që gratë kanë çdo ditë, por që burrat nuk e mendojnë shpesh – të jeni e injoruar dhe e trajtuar si inferiore ndaj kërcënimit për dhunë. Një varg proteste është edhe në këtë këngë, të bazuar në përvojën e vërtetë. “Më kujtohet kur po ecja për në shtëpi, ishte dimër, sapo zbrita nga autobusi dhe u tmerrova nga djemtë me biçikleta që endeshin pranë banesës”, ka kujtuar Dua. Këtë rresht e përfshiu që të përçonte mesazhin te fansat se të gjithë përjetojnë të njëjtat gjëra.

Ngritja e madhe

Kënga është përshkrim i çdo gjëje që Dua ka tentuar ta thotë për feminizmin, që prej hitit “New Rules” që ia dha një shtytje të madhe botërore tre vjet më parë. Ajo ka folur për të drejtat e abortit dhe kritikoi trajtimin e grave në Arabinë Saudite. Madje prezantoi një plan pesëpikësh për evoluimin e industrisë muzikore në Cambridge Union. Edhe në Grammy ngriti zërin. Në ceremoninë që e fitoi çmimin “Artisti më i mirë i vitit 2019”, ajo përdori kohën e saj për ta kritikuar ish-kryetarin e Recording Academy, Neil Portnow, që kishte thënë se gratë duhet të shtojnë punën nëse duan përfaqësim të drejtë në ceremonitë shpërblyese. “Mora shumë kritika për ato që thasë, por janë gjëra që vënë në pah pasionin tim”, ka thënë ajo. Shumë yje botërore do ta kafshonin gjuhën ose do të refuzonin një konfrontim të tillë.

Këmbëngulja shqiptare

Ama, këmbënguljen e ka në gjak. E lindur në Londër, prindërit kosovarë e kthyen në Kosovë në moshën 13-vjeçare. Qëndrimi i saj zgjati vetëm dy vjet, kur e vetme u kthye në Londër për të ndjekur ëndrrën që të bëhej këngëtare. “Nuk e ndieja se kisha mundësi të mjaftueshme ta bëja këtë nga Kosova. Prandaj kur u ktheva në Londër, ende isha në shkollë, por mendova t’i përdorja rrjetet sociale dhe koverët t’i publikoja. Në thellësi e kisha një efekt të Justin Bieberit ku njerëzit do më gjenin në YouTube”, ka thënë Dua Lipa. Për të fituar para për muzikën, nisi të punonte në restorante dhe klube. Pastaj do të siguronte një kontratë incizimi në moshën 18-vjeçare. Albumi debutues iu shty tri herë pasi dështoi të merrte vëmendjen në toplista, por në shkurtin e vitit 2017, tri këngë të saja ishin në top-15 këngët më të mira. Atë verë kënga “New Rules” e çoi karrierën e saj lart në qiell. Mesazhi shumëngjyrësh i klipit dhe vajzat duke u mbështetur në njëra-tjetrën, kristalizoi çdo gjë që e bëri Dua Lipën unike. Përvoja i ndihmoi që ajo të përcaktohej se çfarë artiste donte të bëhej. “E ndiej se vë në pah me atë që jam. Kam një ide të qartë se çfarë po bëj dhe çfarë dua të them. Gjëra të cilave nuk ua kam frikën”, ka thënë krijuesja e hitit “Break my heart”. Ky vetëbesim i dha ngjyrë albumit “Future Nostalgia”. Ajo ia vuri pikën albumit, e ngriu atë për t’u përqendruar në pamjen e tij dhe vuri në punë koreografinë e saj. “Në albumin e parë po mësoja gjithçka që përjetova. Them se tri koncertet e para të çdo turneu janë ditë të provave, duke tentuar të krijoj një listë këngësh, se si të performoj apo çfarë të flas me audiencën”, ka thënë ajo.

“Më e mira e mundshme”

“Kësaj here e dija se duhej ta përfundoja albumin e pastaj të merresha me anën pamore. U sigurova se kisha kohë të mjaftueshme për prova dhe të bëja unike secilën performancë. E dija se duhej të isha në më të mirën time të mundshme dhe këtë e arrita duke krijuar kohë për vete”, ka thënë Dua. Ndryshimi ishte i dukshëm me këngën “Don’t Start Now”. Fansat që e tallnin me qëndrimin e saj në skenë ndërruan mendje me lëvizjet e vallëzimit dhe qëndrimin krejt tjetër. “Ishte hera e parë që zbrita nga skena dhe isha krenare me veten”, ka thënë ajo. Nga ky moment çdo gjë shkoi në plan deri në shfaqjen e koronavirusit. Prandaj është e zhgënjyer që krejt planet e verës janë bllokuar. “Jam e zhgënjyer, por ky është një çmim i vogël që duhet paguar”, ka thënë Dua. “Qëllimi ynë është që albumi të ketë këngë që do të jetojnë për një kohë të gjatë. Prandaj pasi të përfundojë kriza, shpresoj të jem në festivale dhe t’i këndoj këto këngë. Dhe nëse Dua Lipa dëshiron të ndodhë diçka, është e garantuar se do të ndodhë”.

Të ngjashme