Johnny Depp mbetet aktori më i mbipaguar i Hollivudit

Prishtinë | 09 Dhj 2016 | 09:27 | Nga

Johnny Depp dhe Will Smith kryesojnë listën e aktorëve të mbi-paguar të Hollivudit.

Një ilustrim ky që tregon se fuqia e yjeve nuk përkthehet gjithnjë me fitime për filmat në të cilët ata shfaqen. I preferuari George Clooney po ashtu e ka parë veten në listën e përvitshme të revistës “Forbes” pas reklamimit të kufizuar të filmave si “Hail Caesar” dhe “Money Monster”, si edhe fiaskos “Tomorrowland”. Johnny Depp kryeson listën për të dytin vit radhazi, pasi filmi i tij “Alice, Through The Looking Glass” arkëtoi vetëm 300 milionë dollarë pas shfaqjes globale, ndërkohë që për t’u prodhuar u deshën 170 milionë dollarë.

“Forbes” e harton listën duke krahasuar pagesat e një aktori kryesor në tre filmat e fundit të tij ose saj, me koston e prodhimit dhe fitimin e mbledhur.

“Forbes” përllogarit se Depp, filmi “Mortdecai” i të cilit, në vitin 2015, nuk pati suksesin e pritur, ktheu vetëm 2.8 dollarë fitim për çdo 1 dollarë që u pagua. 53-vjeçari Depp, i cili u bë një nga aktorët më të paguar të Hollivudit me “Piratët e Karaibeve”, pati një vit jo fort të mbarë edhe në frontin personal. Ndarja e tij nga aktorja Amber Heard zuri faqet e para të shtypit pas shkëmbimit të akuzave për dhunë dhe shantazh, që më pas u rrëzuan dhe Depp pagoi 7 milionë dollarë pas marrëveshjes për divorc.

“Concussion”, filmi i vitit 2015 për lëndimet në kokë nga futbolli amerikan, në të cilin aktor kryesor ishte Will Smith, mblodhi vetëm 13 milionë dollarë më shumë sesa buxheti i tij prej 34 milionë dollarësh. Kjo pasoi rezultatet zhgënjyese edhe të filmave “Focus” dhe “After Earth” dhe sipas përllogaritjeve të “Forbes”, Smith ktheu vetëm 5 dollarë fitim për çdo dollar që u pagua. Clooney u rendit i pesti në listë, me 6.7 dollarë të kthyer për çdo dollar të paguar, kryesisht për shkak të dështimit të “Tomorrowland”, për prodhimin e të cilit u deshën 190 milionë dollarë.

Ylli i filmit “Magic Mike”, Channing Tatum dhe komediani Will Ferrell, kompletojnë pesëshen e parë të listës së “Forbes” për aktorët e mbi-paguar.

 

 

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme