Projekti i ri muzikor i Rita Orës renditet i pari në Mbretërinë e Bashkuar dhe i pesti në nivel global

Prishtinë | 13 Shk 2021 | 16:24 | Nga Ekonomia Online

Këngëtarja shqiptare me famë botërore, Rita Ora, ka shënuar një rikthim të fuqishëm në muzikë.

Ajo ka publikuar së fundmi një mini-album (EP), me katër këngë të reja, të cilat vijnë në bashkëpunim me emrat e njohur të muzikës si: DJ David Guetta, DJ i famshëm kazakistanez Imanbek dhe reperi amerikan Gunna.

Ora ka realizuar edhe një klip, i cili në fakt është një mini-film ku në pah vihet kënga më e suksesshme e mini-albumit të ri, e cila titullohet “Big”.

Në këtë klip ajo u shfaq me veshje tradicionale shqiptare të punuar nga Valdrin Sahiti, ndërsa mori vëmendje me sekuencat e veçanta të videos së xhiruar në arkitekturën brutaliste të Bullgarisë.

Mini-albumi është pritur jashtë mase mirë nga publiku internacional, dhe aktualisht renditet si albumi i parë më i dëgjuar i momentit në listën e pop albumeve në Mbretërinë e Bashkuar.

Ka qenë vet Rita ajo e cila ka publikuar këtë fakt në InstaStory, ku lista e përpiluar nga iTunes, e shfaq albumin e shqiptares “Bang”, si albumin më të dëgjuar të momentit në zhanrin e muzikës pop.

Ndërkohë, “Bang” gjithashtu renditet si albumi i pestë më i dëgjuar i momentit në nivel global, po në listën zyrtare të iTunes.

Rita ka lënë prapa edhe shqiptaren tjetër të famshme, Dua Lipa, albumi i së cilës në iTunes renditet i gjashti – bëhet fjalë për edicionin e ri të albumit të saj “Future Nostalgia”, i titulluar “The Moonlight Edition”, të cilin Dua e publikoi gjatë këtyre ditëve. 

Të ngjashme