Kuptimi i fshehur politik i një urimi sportiv

Prishtinë | 03 Dhj 2022 | 15:18 | Nga Afrim Kasolli

Ashtu edhe siç pritej, fitorja e kombëtares së Zvicrës kundër Serbisë dhe eliminimi i kësaj të fundit nga garat e mëtutjeshme në kampionatin botëror të futbollit që po mbahet në Katar, shkaktoi një entuziazëm të madh në botën shqiptare.

Rrjetet sociale u vërshuan me mesazhe urimi dhe solidariteti për kombëtarën Zvicerane dhe kryesisht për dy lojtarët e saj Xhaka dhe Shaqiri, që ishin edhe më meritorët për këtë triumf spektakular.

Por, nga të gjitha këto komente, veçanërisht me ka bërë përshtypje urimi i kryeministrit Kurti. Ai kishte zgjedhur qe me pak fjalë dhe në mënyrë lakonike, ta transmetonte urimin e tij për këtë fitore, me anë të sloganit “Serbia nuk kalon”. Dhe ky mesazh, më shumë se sa për kuptimin e hapur, mu duk interesant, për kuptimin e fshehur që e tejçonte. Po ashtu më shumë se sa që ishte i dedikuar për ta përshëndetur fitoren e Zvicrës, më dukej se ky rast përdorej për t’i maskuar transformimet e tij politike.

Siç dihet nga të gjithë ne, slogani “Serbia nuk kalon”, ka qenë njëri nga sloganet me të përdoruara nga Kurti dhe Lëvizja e tij sa kanë qenë në opozitë, për temat që i kanë mbrojtur ndër vite, sikur bie fjala reciprociteti ekonomik, Zajednica etj etj.

Mirëpo, sot Kurti ndodhet në pushtet, dhe deri më tani nuk e ka bërë realitet sloganin e tij mobilizues politik “Serbia nuk kalon”, sikur p.sh. në rrafshin ekonomik me vendosjen e reciprocitetit të plot tregtar, për të cilin dikur protestohej në pikat kufitare në Merdar dhe të Dheu i Bardhë, apo edhe është pajtuar që të zbatohen të gjitha marrëveshjet e arritura deri tani në Bruksel, pjesë e të cilave është edhe “Zajednica”.

A do të thotë kjo që tash e tutje, Kurti pikërisht për shkak të pamundësisë apo dështimit të tij politik për ta bërë realitet kushtrimin e tij “Serbia nuk kalon”, atëherë do të tentojë që kuptimin e tij ta zhvendos vetëm në terrene sportiv? Ku politika i shndërrohet në sport e sporti në politikë. Kurse për shkak të kësaj kundërthënie personale të kënaqet me rolin e Xhakës dhe Shaqirit si dhe të gjejë satisfaksion në sukseset e Zvicrës, për atë që dikur e premtonte si politikë të tij të sovranitetit dhe dinjitetit shtetëror.

Kjo është arsyeja, që ky urim i tij, në këtë formë më shumë më dukej si simptomë e kësaj kthese reale politike në entuziazmin kolektiv të një atmosfere sportive. Por, që çuditërisht këtë metamorfozë nuk nguruan ta përkrahin dhe shpërndajnë edhe politikan pa vetëdije politike dhe historike të PDK-së.

Të ngjashme