Droga – Një krizë që po fshihet, por po shpërthen!

Prishtinë | 22 Pri 2026 | 10:36 | Nga Luljeta Pula

Dhe tani , një katandisje e rëndë e shoqërisë ! Një rënie që fshihet! Një bombë, që çdo ditë rrezikon të shpërthejë ! Rinia, zemra dhe shpirti i shoqërisë, nën kthetrat e së keqes ! Nën kthetrat e helmit! Shoqëria hesht ! Institucionet , në vesh të shurdhër ! Shkollat bëjnë sehir ! Gjithçka ka mbetur në mëshirën e të pamëshirëve ! Dhe në mëshirën e fatit ! Fatit që nuk fal ! Në mëshirë të Zotit ! Zotit, që thotë, ndihmomë pak se të ndihmoj shumë ! Si është e mundur që kjo shoqëri rri e qetë përpara kësaj katrahure? Si është e mundur që askush nuk flet ? Ku është ndërgjegja kolektive e këtij populli ! Përderisa e ardhmja e këtij vendi po vritet pa mëshirë ! Nuk e kuptoj.

Unë e di se ka shumë arësye që na sollën deri këtu. Një rënie e thellë e shoqërisë, traumat e pashëruara të luftës, rënia e plotë e sistemit të vlerave, rënia e plotë e moralit, ndjenja e pasigurisë dhe e paperspektivës, mirëqenia në ramje të lirë, kriza e thellë e shoqërisë dhe rrënimi sistematik i konceptit të familjes, shtimi i numrit të divorceve, ku viktima janë fëmijët, një shoqëri me përmbysje të thellë të sistemit të vlerave, ku vlerë, fuqi dhe imazh është vetëm paraja. Dhe jo dinjiteti, krenaria, sinqeriteti aftësia dhe ndershmëria! Shoqëri, ku atdhedashuria e patriotizmi kanë mbetur vetëm emër kuptimi. Dhe më shumë se kaq ! Kur dashuria për vendin është tanimë një diçka e tejkaluar, jo në trend, një diçka që i ka kaluar koha, një ide që nuk është më as ndjenjë, e lëre më inspirim, frymëzim, forcë lëvizëse dhe ideal për të cilin , ia vlen të vdiset. Në këtë katrahurë, ku shumë shkaqe kanë bërë një kaos faktik dhe psiqik, kokat e njerëzve janë thjesht një mjegullnajë. Që shpëtimin e shohin në ikje nga vetvetja. Në iluzione që vrasin, e që kërkojnë të përsëriten pandërprerë. Në ikje nga realiteti i hidhur. Dhe në jetën në botën e delirit. E në kthetrat e helmit, që vret, që rrënon, që shkatërron dhe mbytë ngadalë njeriun. E duke e mbytyr ate, vret shoqërinë, që nuk bën as përpjekjen më të vogël për të dalur nga vorbulli i së keqes!

Sepse droga të jep pikërisht një ikje të çastit nga realiteti që nuk premton asgjë. Sepse një i ri që nuk sheh perspektivë, ai nuk kërkon sakrificë, ai kërkon arratisje. Dhe fundja, nuk është droga ajo që po e shkatërron rininë! Është boshllëku, që kërkon arratisje te droga. Dhe harresë nga pakuptimësia ! Është kjo thjesht një ikje nga vetvetja, nga realiteti, nga një jetë që nuk premton kuptim. Rinia jonë, nuk është thjesht e tunduar. Ajo është e lodhur. E zhgënjyer. E çorientuar. Ajo nuk beson më. Nuk beson te e ardhmja. Nuk beson te drejtësia. Nuk beson te vlerat që i janë predikuar, sepse nuk i sheh të jetuara. Dhe kur besimi shembet, njeriu nuk lufton më. Ai dorëzohet në heshtje, duke u nisur jasht realitetit. Dhe droga është dorëzimi !

Dhe kështu një brez i tërë rritet në një hapësirë pa orientim. Pa rrënjë, pa horizont. E në këtë hapësirë, droga nuk është më tundim, ajo është strehë. Një strehë e rreme, e përkohshme , por e mjaftë për të mpirë dhimbjen e një ekzistence pa kuptim.

Sepse rënia e shpirtit nuk ndodh me zhurmë. Ajo ndodh në heshtje, në përditshmëri, në zgjedhje të vogla dhe në dorëzime të padukshme.

Kjo shthurrje e plotë e shoqërisë, kur e keqja uluron, e askush nuk përgjigjet, është rrezik i heshtur që një ditë, do të shpërthejë. Kjo shoqëri , është moti nën alarm ! Ama po hasë në vesh të shurdhër. Se këta që do duhej të reagonin, e të ndërmerrnin diçka për ti dalur përpara, e për ti thënë NDAL kësaj zezone, janë të zënë, me vrapim pas pushtetit, pas parave, pas intrigave e ndërskamcave politike, pas lojës së ndyrë për pushtet, e pas drejtimit të lojërave e të pabërave të nëntokës politike dhe shoqërore. Vetëm e vetëm për interesa personale. Sepse ideali ka tretur thellë. Nuk është më. Po, rinia , në të kaluarën ishte një tjetër rini. Një rini që donte atdheun dhe ishte e mësuar ta adhuronte ate, një rini që jetonte me atdheun dhe për atdheun, një rini që frymonte për lirinë , një rini vetëmohuese e sakrifikuese, që jetonte me inspirimin e frymëzimin për vendin e vet , e për lirinë, një rini e përkushtuar që kishte drejtim ! Dhe ne sot, në këtë kohë kur shoqëria po kalbet e po helmohet dita ditës, a duhet të jetojmë me nostalgjinë për ato kohë të vjetra ?

Realiteti që vret

Unë shoh se fëmijët kanë rënë në kurthin e drogës. Është mosha që ka rënë nën 16 vjeç. Dhe se marihuana po bën kërdinë në shkolla. Në shtresat urbane kokaina thuaja përdoret hapur. Pa u fshehur. Është bërë moderne, dhe trend i kohës. Dhe qasja në drogë, shumë e lehtë-‘’mjafton të keshë para ‘’. Kam dëgjuar se ka mijëra përdorues problematikë ( rreth 4-6 mijë me droga të rënda dhe mbi 20 mijë abuzues ). Dhe po, raste të përditshme arrestimesh të të rinjve për posedim droge. Por a mjafton arrestimi ? A mjafton vetëm reagimi i policisë? Dhe, kjo, pra arrestimi do të shërojë këtë plagë të hapur të shoqërisë sonë? Në vend se të kërkohen shkaqet, arësyeja, në vend se të hulumtohet e të kurohet problemi që ka sjellë në këtë gjendje! Në vend se të kërkohen e të priten rrënjët e së keqes, që rininë tonë e ka sjellur në këtë ditë. Në vend se të alarmohet shoqëria dhe të reagojnë me radhë, me sistem, me program e me projekt gjithë levat e kësaj shoqërie fatkeqe !

Dhe e tëra që po na ndodhë, nuk është thjesht një problem me drogën. Kjo është një epidemi e heshtur, në rritje. Pa statistika të sakta, pa strategji serioze, pa angazhim shoqëror, pa program luftimi dhe pa asnjë debat publik. Sepse, thjesht të flasësh e të reagosh për epideminë narkotike quhet herezi dhe tabu.

Dhe këto që thashë, nuk janë vetëm përceptime, këto janë hallka të një zingjiri të vetëm shkatërrimi.

Humbja e kuptimit të jetës dhe idealit

Dhe shoqëria që nuk ofron qëllim, ajo prodhon zbrazëti. Një i ri pa ideal nuk kërkon sakrificë. Ai kërkon arratisje. Arratisje nga vetvetja. Dhe kërkon prehje jasht realitetit. Në botën e ëndrrave, të delirit, dhe të bukurës dhe fuqisë që sjell iluzioni. Dhe droga është ‘’ilaç’’ që vret boshllëkun shpirtëror.

Shkatërrimi i familjes

Po, ka një rritje enorme të divorceve, një dobësim të autoritetit prindëror dhe një mungesë të komunikimit real. Ekspertët thonë se mungon diskutimi në familje për drogën. E një njeri që nuk dëgjohet në shtëpi, kërkon prehje dhe mirëkuptim në rrugë.

Kriza ekonomike dhe mungesa e perspektivës

Dihet, papunësia, pagat e ulëta, ndjenja dhe përceptimi, se ‘’ këtu nuk ka të ardhme ‘’, janë refreni i vendit tim!

Ky realitet i zymtë krijon dy rrugë, ikje e emigrim dhe arratisje te droga.

Normalizimi i devijimit

Ka një dukuri shumë të rrezikshme në këtë shoqëri. Një relativizim i së keqes, dhe një bashkëjetesë me te. Droga po shihet si ‘’cool ‘’, hapur diskutohet për legalizim , ndërsa konsumi trivializohet. Edhe diskutimet e herëpashershme publike, ku ajo shihet si një diçka gati normale, dhe jo si rrezik. Një degradim dhe një deformim i thellë i thelbit shoqëror.

Trauma kolektive e pasluftës

Të gjithë e dijmë se Kosova është një shoqëri me trauma të pashëruara nga lufta, me dhimbje të paartikuluar dhe me një mungesë serioze të kujdesit dhe trajtimit psikologjik. E droga mbetet tani një vetëmjekim i traumës së patrajtuar.

Dështimi institucional

Duhet thënë hapur dhe pa kurrëfarë diplomacie. Institucionet nuk janë ‘’ duke bërë pak ‘’. Ato nuk po bëjnë asgjë ! Ato nuk po e trajtojnë fare problemin me narkotikë si EMËRGJENCË KOMBËTARE !

Ato, pra institucionet, as nuk kanë strategji kombëtare funksionale, nuk ka as edhe një edukim serioz në shkolla, nuk ka qendra të mjaftueshme rehabilitimi, nuk ka statistikë të saktë kombëtare. Dhe problemi i narkotikëve dhe përdorimit masiv të tyre nga fëmijët e rinia, nuk është prioritet politik e as kombëtar!

Pasojat

Nëse kështu vazhdon pasojat janë të qarta. Do të kemi një degjenerim të plotë të rinisë, një rritje të krimit të organizuar , një shkatërrim të familjes si celulë e shoqërisë, një rënie të kapitalit njerëzor dhe një depresion kolektiv e shoqëri pa besim dhe pa ideal.

Dhe e tëra, nuk është vetëm çështje droge, kjo është çështje e mbijetesës së kombit, si strukturë morale.

Cila është zgjidhja

Jo, një zgjidhje të vetme nuk ka. Duhet një ndërhyrje në më shumë nivele. Së pari , është urgjencë, ndërhyrja e nivelit shtetëror. Duhet ndërtim i një strategjie reale, dhe jo si dokument formal. Një strategji, e hartuar nga ekspertë real e jopolitik, me objektiva të matshëm . Duhet luftë ndaj furnizimit, një goditje serioze ndaj mjeteve të shpërndarjes dhe kontrroll i rreptë në shkolla dhe zona urbane. Nevojitet një sistem kombëtar statistikash , pra një regjistrim real i përdoruesve dhe monitorim i trendeve. Më pas, e kjo është ndër veprimet më të rëndësishme, duhet urgjent ,një ndërhyrje e sistemit arsimor. Është emërgjente futja e edukimit për drogën si lëndë reale , dhe jo formale. Duhet aktivizimi i psikologëve të shkollës për këtë problem. Duhen programe parandalimi që fillojnë që nga klasat e ulëta. Veç kësaj duhet ringjallur niveli shoqëror. Ai i cili bën aktivizimin e komunitetit, organizon programe sportive, kulturore artistike, bën platforma rinore që japin kuptim dhe përkatësi.

Sepse një i ri i angazhuar nuk ka nevojë për drogë. Duhet një veprim i fuqishëm edhe në nivelin familjar. Këtu natyrisht përfshihet edukimi i prindërve, rindërtimi i komunikimit familjar dhe një rikthim i fuqishëm i rolit të familjes si mburojë.

Ajo që ka rëndësi parësore, është padyshim angazhimi thelbësor dhe i pandërprerë rreth nivelit shpirtëror. Që është kyç ,por tepër i injoruar. Një shoqëri pa besim, pa vlera e pa moral prodhon veçse boshllëk. Dhe boshllëku mbushet me drogë, depresion dhe nihilizëm.

Përfundim

Droga nuk është problemi. Droga është pasqyra e thellë e krizës sonë.

Nëse ideali nuk rikthehet, nëse familja nuk rimëkëmbet, nëse nuk krijohet shpresë reale për të rinjtë , atëherë kjo dukuri rrënuese dhe tepër fatkeqe do të thellohet dita-ditës dhe në fund do të bëhet e pakthyeshme dhe e pashpresë.

Sepse shoqëritë nuk shkatërrohen as nga armiqtë e jashtëm , aq sa shkatërrohen nga boshllëku jonë i brëndshëm !

Dhe për fund ! Nuk është droga ajo që po e shkatërron rininë ! Është shteti që ka hequr dorë prej saj ! Sepse në Kosovë nuk kemi më një problem me drogën ! Ne kemi një dështim shtetëror dhe shoqëror !

Droga është vetëm pasoja më e dukshme e këtij dështimi.

Ku janë strategjitë reale ? Ku janë programet serioze në shkolla ? Ku janë statistikat e sakta ? Ku janë qendrat funksionale të rehabilitimit ? Problemi është i rëndë dhe alarmant ! Ku është vullneti për ta zgjidhur ? Policia dhe ndërhyrja e saj nuk është luftë ndaj drogës ! Ky është menaxhim i imazhit ! Ndërkohë që një brez i tërë po humbet !

Një vend që këtë problem nuk e trajton si strategji kombëtare e e len në periferi të axhendës politike, ai vend nuk bën hajr. Nuk kanë kohë këta, sepse kanë të merren me pushtetin dhe të bëjnë lojërat e pista të tij, dhe jo të merren me shoqërinë.

E një rini e dëmtuar nuk ndërton shtet . Një shoqëri pa besim nuk bën zhvillim. Dhe një sistem pa përgjegjësi nuk krijon të ardhme.

Dhe asnjë rini nuk zgjedh vetëshkatërrimin pa arësye. Ajo shtyhet drejt tij. Ngadalë, në heshtje dhe në mënyrë sistematike.

Kur drejtësia nuk funksionon, lind cinizmi. Kur puna nuk shpërblehet lind apatia. Kur vlerat përmbysen, lind konfuzioni. Kur shteti mungon , lind zbrazëtia. Dhe në këtë zbrazëti njeriu kërkon shpëtim- te shkatërrimi.

Dhe në këtë katandisje e katrahurë, shteti është bashkëfajtor. Sepse indiferenca institucionale nuk është thjesht paaftësi.Është një formë e heshtur e dorëzimit. Dorëzim përballë krimit. Dorëzim përballë degradimit. Dorëzim përballë së ardhmes !

A do të lejojmë ne këtë lojë të rrezikshme me rininë tonë ?!!!!

Të ngjashme