Kur do të godas Specialja?

Prishtinë | 28 Qer 2017 | 17:55 | Nga

Ish-pjesëtarë të lartë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës nga java tjetër do të mund të ndiqen nga Gjykata Speciale, pasi ky institucion ka bërë me dije se i ka përmbyllur të gjitha procedurat që e bëjnë të aftë për të ngritur aktakuza.

Tani gjithçka ka mbetur në diskrecionin e Prokurorit të Specializuar, amerikanit David Schwendiman, i cili e ka fjalën e fundit për të vendosur se kur do të fillojë t’i ndjekë pjesëtarët e UÇK-së.

Që nga e mërkura e javës së ardhshme do të fillojë numërimi mbrapsht për një mori personalitetesh të njohura të politikës së Kosovës, ish-pjesëtarë të lartë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, të cilët mund përballen me aktakuza në lidhje me dyshimet që rëndojnë mbi ta për krime të luftës.

Gjykata Speciale pritet t’i akuzojë për krimet që supozohen se i kanë kryer ndaj serbëve gjatë dhe pas luftës, shkruan Gazeta Express.

Procesi bazohet në një raport të Senatorit Zviceran Dick Marty të miratuar në Këshillin e Europës në vitin 2010, i cili ngarkon figura të larta të ish-UÇK-së edhe me akuza për trafikim organesh.

Pohimet e Martyt janë hetuar nga një Taskë Forcë Speciale e Bashkimit Europian e cila ishte themeluar në vitin 2011.

Kryeprokurori i saj, amerikani Clint Williamson, pas gati 3 vjetësh hetime, kishte shpallur se ka bazë për të ndjekur figura të larta të UÇK-së.

“Si rrjedhojë e të gjitha hetimeve të zhvilluara ne besojmë se Task Forca tani do të jetë në gjendje që të ngritë një aktakuzë kundër zyrtarëve të caktuar të lart të UÇK-së. Këta persona janë përgjegjës për një fushatë të persekutimeve të cilat kanë qenë të drejtuara ndaj pjesëtarëve të popullatave pakicë dhe rome në Kosovë përfshirë këtu edhe shqiptarë të Kosovës, të cilët pretendoheshin se ishin bashkëpunëtor të regjimit apo ishin kundërshtarë politikë të lidershipit të UÇK-së”, ka thënë prokurori amerikan.

Për ta çuar këtë proces përpara Kosova ishte pajtuar që ta kalojë në Parlament ligjin për Gjykatën Speciale dhe të bëjë marrëveshje bilaterale me vendin nikoqir Holandën.

Të mërkurën Kryetarja e Gjykatës Speciale bullgarja Ekaterina Trendafilova në një deklaratë për media ka thënë se që nga java e tjetër Prokurori i Specializuar mund të ngris aktakuzat.

“Me hyrjen në fuqi të Rregullores, pas shtatë ditësh nga dita e sotme nuk do të ketë kurrfarë pengese ligjore për marrjen e çfarëdo parashtrimi ose aktakuze nga Zyra e Prokurorit të Specializuar”, thuhet në deklaratën e gjyqtares Ekaterina Trendafilova.

Deklarata e saj ka ardhur pasi Dhoma e Specializuar e Gjykatës Kushtetuese konstatoi se Rregullorja e Procedurës dhe e Provave është në përputhje me Kushtetutën e Kosovës.

Dyshimet për krime ndaj serbëve kishin shpërthyer pas akuzave se pjesëtarë të Ushtrisë Çlirimtare kishin hequr veshka të njerëzve për qëllim tregëtie në Burrel të Shqipërisë në atë që do të njihej më vonë si Shtëpia e Verdhë. Por një ekip i hetuesve të OKB’së kishte përjashtuar një mundësi të tillë pasi kishin kryer hetime në vitin 2004.

Më pas akuzat ishin riaktualizuar nga ish –Kryeprokurorja e Tribunalit të Hagës Carla Del Ponte, përmes librit të saj “Gjuetia: Unë dhe Kriminelët e Luftës”, i publikuar në prill të vitit 2008, as dy muaj pas shpalljes së pavarësisë së Kosovës. Pas publikimit të këtij libri, Këshilli i Europës kishte mandatuar senatorin zviceran Dick Marty për të kryer hetime. Marty në raportin e tij kishte prezantuar gjetjet e tij fillimisht në Paris e më pas në Strasbourg të Francës pas hulumtimeve që kishte bërë në Kosovë.

Ai kishte thënë se “Shtëpia e verdhë në Burrel ka shërbyer si burg i UÇK-së, ndërsa një shtëpi në Fushë Krujë, 20 km larg Tiranës, si sallë operimi për të zhvilluar kontrabandën me organe njerëzish. Viktimat kanë qenë serbë dhe romë”

Raporti i Këshillit të Europës i titulluar “trajtimi çnjerëzor i njerëzve dhe trafikimi i paligjshëm i organeve në Kosovë” ka hedhur dyshime të rënda për UÇK-në dhe figurat kryesore të saj, që prej Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Xhavit Halitit, Azem Sylës e Fatmir Limajt.

Në të përmendet, lidhja e Thaçit me grupin e Drenicës, që, sipas raportit, udhëheqin krimin e organizuar në rajon. “Ish-ushtarët e UÇK-së zhvilluan struktura të tjera të inteligjencës pas luftës, duke u përpjekur ta fusin suksesshëm si strukturë legale dhe pjesë e sistemit”.

“Disa anëtarë të tjerë të ‘Grupit të Drenicës’ na janë dhënë indikacione gjatë hulumtimit se kanë luajtur rol vital si bashkë-konspiratorë në aktivitete të ndryshme kriminale. Këtu përfshihen Xhavit Haliti, Kadri Veseli, Azem Syla dhe Fatmir Limaj.

Të gjithë këta janë hetuar vazhdimisht gjatë dekadës së fundit si të dyshuar për krime lufte dhe ndërmarrje të përbashkëta kriminale, duke përfshirë raste të mëdha të udhëhequra nga UNMIK-u, Tribunali i Hagës, dhe EULEX-i. Deri më sot, të gjithë i kanë ikur drejtësisë”, kishte shkruar mes tjerash Marty.

Më 2010, atëherë Kryeministri Hashim Thaçi kishte paralajmëruar padi ndaj zviceranit pasi raportin e tij e kishte cilësuar propagandë.Por, më pas nëpërmjet një letre drejtuar Këshillit të Europës kishte kërkuar që ato pohime të hetohen.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme