Kurti: Duhet të diskutojmë me të gjitha partitë për datën e zgjedhjeve

Prishtinë | 13 Maj 2024 | 21:35 | Nga Ekonomia Online

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka thënë se në takim me liderin e PDK-së, Memli Krasniqi janë diskutuar çështje të aktualitetit politik, me theks të veçantë agjenda legjislative, raporton Ekonomia Online.

Kurti ka thënë se me kreun e PDK-së kanë diskutuar edhe sa i përket ecjes së Kosovës në integrimet ndërkombëtare, por edhe për mundësinë për zgjedhje të reja në të ardhmen e afërt.

Ka thënë se PDK-ja e ka përcaktuar kandidatin për kryeministër, porse për datën e zgjedhjeve duhet të diskutojnë me të gjitha partitë.

“Që nga marsi i këtij viti nuk mund të themi që zgjedhjet e radhës janë çështje të viteve, por janë çështje të muajve. Edhe unë jam i interesuar ta diskutojë me opozitën se cila është stina më e përshtatshme për zgjedhjet e ardhshme. Në përgjithësi janë pranvera dhe vjeshta më të përshtatshme për zgjedhje por nëse shkon mandati deri në fund do të mbahen në dimër. Por nuk dua që për këtë ta imponojë vullnetin tim. Debatin le ta bëjmë në kuadër të fushatës zgjedhore, ndërkohë që jemi pajtuar për datën e zgjedhjeve. Darka ka zgjatur shumë, por nuk jemi parë kaherë dhe kishim shumë gjëra për të diskutuar. Duhet të diskutojmë më të gjitha subjektet politike dhe të shohim se cila është data që pajtohemi më së shumti pë zgjedhje”, ka thënë ai.

Ai ka thënë se i kanë plotësuar të gjitha kushtet për anëtarësim në KiE dhe vendimi mbetet te Këshilli i Ministrave.

Kurti ka thënë se sonte kanë qenë të ftuara të gjitha partitë, duke shtuar se synon që t’i takojë edhe ato që nuk i kanë ardhur në takim.

Ai ka thënë se për shpërndarjen e Kuvendit duhet të jenë që të gjithë bashkë.

“Unë nuk mund ta përcaktoj datën e zgjedhjeve, por edhe po ta kisha mundësinë nuk do ishte në rregull që unë ta caktoj. Nuk shpërndahet Kuvendi me shumicë të thjeshtë, nevojiten 80 deputetë dhe ne nuk jemi opozita.. më lejoni që të shohim edhe pak diskutimin me dy partitë opozitare”, ka thënë ai.

Të ngjashme