Kurti e Osmani urojnë qytetarët për Kurban Bajram

Prishtinë | 28 Qer 2023 | 08:29 | Nga Ekonomia Online

Presidentja Vjosa Osmani e kryeministri Albin Kurti, kanë uruar qytetarët me rastin e festës së Kurban Bajramit.

Osmani ka thënë se Kurban Bajrami është mundësi reflektimi mbi solidaritetin, sakrificën e tolerancën.

“Është mundësi për t’i çmuar lidhjet tona familjare dhe miqësore, si dhe për të zgjatur dorën e mirësisë ndaj atyre në nevojë. Derisa sot mblidhemi së bashku për të festuar, le të kujtojmë frymën e unitetit dhe harmonisë që simbolizon kjo festë. Me shpresën që kjo festë të sjellë te ju, familjet dhe të afërmit tuaj të mira e begati, ju uroj edhe një herë me fat Kurban Bajramin”, thuhet në urimin e presidentes.

Edhe kryeministri Kurti ka uruar qytetarët me rastin e Festës së Kurban Bajramit. Ai në një postim në Facebook ka shkruar se sakrifica e ka gjithmonë për synim tjetrin e jo vetën.

“Gëzuar e me fat Kurban Bajrami! Sakrifica gjithmonë ka për synim tjetrin, jo veten. Të mirën e përgjithshme, jo të mirat vetanake. Ajo është shërbim dhe përkushtim, që nganjëherë të pakëson, por gjithmonë të lartëson. Përmes saj heq dorë nga të qenit në qendër, për t’u bërë qendra e të tjerëve.Në festën e sakrificës, le të bëhemi edhe më solidarë e më zemërgjerë me të tjerët, për të mirën e përgjithshme, me ata që na rrethojnë. Sot, nesër, çdo ditë të vitit”, ka shkruar Kurti.

Të ngjashme