Kurti: I kam kërkuar Agjencisë Kadastrale ta zbatojë vendimin për Manastirin e Deçanit

Prishtinë | 13 Mar 2024 | 11:52 | Nga Valmire Abdullahu Shkarko Videon HD

Për ta shkarkuar videon ju lutem kyçuni ose regjistroni një llogari të re!

| Regjistrohu

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka bërë të ditur se i ka kërkuar Agjencisë Kadastrale të Kosovës që ta zbatojë vendimin e Gjykatës Kushtetuese për tokën rreth Manastirit të Deçanit, raporton Ekonomia Online.

“Për të arritur një qëllim shumë më madhor që ia kemi borxh shtetit e që hap mundësi të papara më herët ne duhet të bëjmë një hap përpara me maturi e përgjegjësi si një vend i pavarur e sovran. Andaj, sot i kemi thënë Agjencisë Kadastrale të Kosovës që ta zbatojë vendimin e Gjykatës Kushtetuese”, ka deklaruar Kurti në mbledhjen e Qeverisë.

Vendimi i Gjykatës Kushtetuese, i vitit 2016, i cili parasheh transferimin e 24 hektarëve tokë te Manastiri i Deçanit, vlerësohet se është vendimtar për aplikimin e Kosovës për anëtarësim në Këshillin e Evropës, gjatë Asamblesë Parlamentare të këtij institucioni, që do të mbahet në prill.

Autoritetet lokale në Deçan refuzojnë që Manastirit të Deçanit t’ia regjistrojnë në kadastër 24 hektarë tokë dhe pyll, sepse konsiderojnë se kjo pronë është e ndërmarrjeve shoqërore “Apiko” dhe “Iliria” dhe se nuk ka qenë kurrë e Manastirit.

Sipas tyre, Gjykata Kushtetuese ka “legalizuar” një vendim të vitit 1997 të Sllobodan Millosheviqit, me të cilin ajo pronë iu dhurua Manastirit të Deçanit.

Deri më tash, këtë qëndrim të pushtetit vendor e kanë përkrahur edhe drejtuesit e institucioneve të Kosovës, përfshirë kryeministrin Albin Kurti dhe presidenten Vjosa Osmani, të cilët kanë theksuar se ky vendim i Gjykatës Kushtetuese bazohet në politikën diskriminuese të Qeverisë së Serbisë të viteve ‘90.

Derisa nga Manastiri i Deçanit thonë se një qëndrim i tillë i zyrtarëve kosovarë kërcënon sigurinë e Manastirit”, sepse publikut i prezantohet sikurse vetë Manastiri ia ka marrë tokën dikujt tjetër.

Sipas tyre, në vitin 1997 atyre iu kthyen 24 nga gjithsej 700 hektarët tokë, e cila u ishte marrë nga pushteti komunist i Jugosllavisë, në vitin 1946.

Fjala e plotë e kryeminstrit Kurti:

Të nderuar kolegë nga Qeveria jonë, gazetarë të medieve, të dashur qytetarë të Republikës,

Në dy vitet e fundit, Qeveria jonë përmes Ministrisë së Punëve të Jashtme dhe Diasporës, unë si Kryeministër, anëtarët e Qeverisë veç e veç, Presidentja, Kryeparlamentari, delegacioni i Kuvendit të Kosovës në Asamblenë Parlamentare të Këshillit të Evropës, deputetët e tjerë të Kuvendit, të gjithë, kemi qenë të angazhuar në një proces shumë të vështirë lobimi për ta bërë realitet anëtarësimin e Republikës sonë në Këshillin e Evropës. Nuk kemi lënë gurë pa lëvizur e njeri pa takuar.

Megjithatë, pasi që kërkesa për anëtarësim është proceduar tutje në Asamblenë Parlamentare të Këshillit të Evropës në muajin maj të vitit të kaluar, Komiteti përgjegjës i Asamblesë Parlamentare ka bërë një vlerësim të hollësishëm të kuadrit institucional e ligjor sa i përket demokracisë, të drejtave të njeriut e standardeve të qeverisjes së mirë.

Një raport i Juristëve Eminent (dokument zyrtar i KiE-së) ka konstatuar që Kosova është një shtet me kuadër të qëndrueshëm të institucioneve demokratike. Raporti i ka listuar disa kushte ndër të cilat ka qenë edhe zbatimi i vendimit të Gjykatës Kushtetuese të Republikës së Kosovës për Manastirin e Deçanit, të vitit 2016.

Raporti është publik dhe mbetet një dokument që nuk mund të ndryshohet apo përjashtohet nga rruga jonë për në KiE; do mbetej aty si listë kushtesh sot, pas një viti, pas dhjetë vitesh.

Pas një procesi masiv të takimeve, vizitave e të komunikimeve, na është bërë e qartë që nga shumë kushte që i kemi pasur për anëtarësim në Këshillin e Evropës, disa janë konstatuar që janë plotësuar e disa janë listuar si çështje jo-urgjente, por njëri mbetet dhe nuk do të hiqet: zbatimi i vendimit të Gjykatës Kushtetuese për çështjen që lidhet me Manastirin e Deçanit.

Qeverisë i është bërë e qartë nga Komiteti i Asamblesë Parlamentare, nga grupet politike kryesore në Asamble Parlamentare që përfaqësojnë parlamentet e shteteve anëtare, nga shtetet e QUINT-it, që ne duhet të zgjedhim ndërmjet dy opsioneve: të zbatojmë vendimin e Gjykatës Kushtetuese e të na mundësohet ecja tutje me qëllim anëtarësimin në KiE këtë vit, apo heqjen e çështjes së Kosovës nga agjenda e anëtarësimit dhe rrjedhimisht heqjen dorë nga një qëllim demokratik e shtetndërtues i Republikës sonë.

E provuam me datën 5 mars për herë të fundit që ta shtyjmë miratimin e opinionit për anëtarësim në Komitetin në fjalë, por pa sukses. U bindem që duhet të zgjedhim njërin opsion, nuk ka një zgjidhje të tretë. Si Kryeministër i Republikës së Kosovës nuk na pëlqen ai vendim i çuditshëm e i padrejtë, e ndërkohë ka edhe procese tjera gjyqësore pezull për këtë çështje, teksa ne si qeveri nuk kemi më mjete legale e juridike për ta anuluar vendimin e Gjykatës Kushtetuese.

Nuk do e ndryshoj qëndrimin ndaj këtij vendimi të dëmshëm asnjëherë. Në anën tjetër, nuk ka dyshim që anëtarësimi i Kosovës në KiE do të ishte jo vetëm fitore historike, por edhe një hap gjigand për Republikën tonë drejt njohjes së pesëshes evropiane që mundëson anëtarësimin në NATO dhe në BE për Kosovën e pavarur.

Në ushtrimin e gjykimit për këtë çështje, jam prirë nga arsyeja e shëndoshë. Askush nuk ka të drejtë t’ia ndalë Republikës së Kosovës të drejtën për të qenë shtet i barabartë me çdo shtet tjetër të kontinentit tonë. Askush nuk ka të drejtë t’ia humbasë qytetarëve të Republikës të drejtën që të ndihen qytetarë evropianë duke pasur të drejtën për t’iu qasë Gjykatës Evropiane për të Drejta të Njeriut e dhjetëra mekanizmave të tjerë që e përbëjnë makinerinë demokratike pan-evropiane të Këshillit të Evropës.

Shtet i konsoliduar e i barabartë në kontinentin evropian je para se gjithash duke qenë anëtar i Këshillit të Evropës. Mbi të gjitha, kërkohej një vendim i arsyeshëm, fatkeqësisht jo i drejtë në plotninë e tij; por, megjithëkëtë për të arritur një qëllim shumë më madhor që ia kemi borxh shtetit e që hap mundësi të papara më herët, ne duhet bërë një hap përpara me maturi e përgjegjësi si një vend i pavarur e sovran.

Andaj, sot i kemi thënë Agjencionit Kadastral të Kosovës që ta zbatojë vendimin e Gjykatës Kushtetuese kurse ministrja e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, znj. Donika Gërvalla, i ka dërguar notë verbale njoftuese për këtë çështje Këshillit të Evropës.

Me 22 mars është mbledhja e jashtëzakonshme e Komitetit atje, kah mesi i prillit është Asambleja Parlamentare e KiE dhe në fund të majit është Këshilli i Ministrave në KiE që vendos për anëtarësimin tonë.

Të ngjashme