Kurti fton Shqipërinë që të ndjekë shembullin e Kosovës për sa i përket shqiptarëve të Luginës

Prishtinë | 20 Dhj 2024 | 12:54 | Nga Ekonomia Online

Kryeministri Albin Kurti, në mbledhjen e përbashkët të kuvendeve të Kosovës dhe Shqipërisë, ka thënë se dy shtetet tona edhe pse të themeluara me një distancë kohore nga njeri-tjetri janë shprehje politike e së njëjtës aspiratë shekullore për ruajtjen e identitetit dhe bashkimin kombëtar, raporton Ekonomia Online.

Ai ka theksuar se të dyja shtetet kanë shumë punë për të bërë për të lehtësuar bashkëpunimet e natyrshme midis qytetarëve të të dyja shteteve.

“Sot në Prishtinë moti është i ftohtë, por nuk ndikon në atmosferën e ngrohtë në këtë sallë ku janë bërë bashkë dy Kuvendet i Shqipërisë dhe Kosovës”, tha Kurti.

Ai theksoi aspiratën e dy shteteve, atë të bashkimit kombëtar dhe ruajtjen e identitetit.

Ju të dashur deputetë përfaqësoni qytetarët e dy shteteve dhe pjesëtarët e të njëjtit komb. Dy shtetet tona janë shprehje politike e së njëjtës aspiratë për ruajtjen e identitetit dhe bashkimin kombëtar. Legjislatura e parë e Shqipërisë e njohu Kosovës në 1991”.

Kurti përmendi dhe pakicat shqiptare në rajon. Ai tha se në Serbi ato janë më të diskriminuarat.

Ai ftoi Shqipërinë që të ndjekë shembullin e Kosovës për sa i përket shqiptarëve të Luginës së Preshevës.

Teksa bëri bilancet e  mbledhjeve të përbashkëta, Kurti tha se po punohet për heqjen e kontrollit në kufi gjatë gjithë vitit.

“Shpreh kënaqësi që sot kuvendet bëjnë bilancet në mbledhjet e përbashkëta qeveritare që nga mbrojtja infrastruktura shkëmbimet tregtare, turizmi energjetika, njohja e pensioneve, njehsimi i teksteve shkollore etj. Rezultatet janë të prekshme për të vijuar më tej. Shqipëria është ndër 5 vendet e para që Kosova ka vëllimet më të mëdha të shkëmbimeve tregtare. Tregu i përbashkët energjetik është funksional. Po punohet për heqjen e kontrollit në kufi gjatë gjithë vitit. Hapja e 26 vendkalimeve të reja. Kufiri mes Kosovës e Shqipërisë është si kufiri mes dy barkusheve të zemrës”.

“Kuvendet kanë rol të rëndësishëm për miratimin e marrëveshjeve dy palëshe dhe poashtu edhe për monitorimin e zbatimit tyre. Komisionet e përbashkëta parlamentare të ngritura enkas për marrëdhëniet dhe marrëveshjet mes dy shteteve besoj se do të ndihmonin në këtë drejtim”, tha kryeministri Kurti.

Ai tha se ndarja e 4 milionë eurove të buxhetit të Kosovës për Luginën e Preshevës duhet të jetë shembull edhe për Shqipërinë.

“Kemi punë përpara për të bërë jo vetëm për qytetarët tanë, por edhe për ndihmuar për sigurinë dhe jetesën e dinjitetshme të shqiptarëve në shtetet fqinje në Maqedoni të Veriut, në Mal të Zi, si dhe për shqiptarët në Luginën e Preshevës në Serbi. Shqiptarët në Serbi janë komuniteti më i diskriminuar në Evropë, andaj ata kërkojnë vëmendje më të madhe në bashkërendimin e politikave rajonale të Republikës së Shqipërisë dhe të Republikës së Kosovës”, tha Kurti

Ai theksoi se shqiptarët nuk janë fajtorë që janë autoktonë.

“Në buxhetin e vitit të ardhshëm kemi ndarë si Qeveri e Kosovës katër milionë euro për Luginën e Preshevës. Uroj të shërbejë kjo si një shembull edhe për Shqipërinë”, ka thënë Kurti. 

Të ngjashme