Kurti në konferencën ndërkombëtare të UBT-së: Po demonstrojmë se është e mundur që vendi të drejtohet në mënyrë efektive dhe morale

Prishtinë | 28 Tet 2023 | 12:33 | Nga Ekonomia Online Shkarko Videon HD

Për ta shkarkuar videon ju lutem kyçuni ose regjistroni një llogari të re!

| Regjistrohu

Në Kampusin Inovativ të UBT-së ka filluar punimet Konferenca Ndërkombëtare për Shkencë, Teknologji, Biznes dhe Inovacion, si dhe Konferenca për Lidership, raporton Ekonomia Online.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, i cili mori pjesë si njëri nga folësit kryesor në konferencën me temën “Lidershipi në kohë sfiduese”, foli për cilësitë fundamentale të liderit që e definojnë një lider të mirë dhe të madh.

Dy cilësitë kryesore të një lideri të mirë, sipas Kurtit janë efektiviteti pragmatik për të tërhequr dhe mirëmbajtur ndjekës ose mbështetës, dhe përkushtimi parimor ndaj një kauze të drejtë, sepse pragmatizmi pa parime është bosh, kurse parimi pa pragmatizëm është i pafrytshëm.

Ndërkaq, duke folur për cilësitë që e përcaktojnë një lider të madh, ai tha se ata definohen nga vullneti për të sakrifikuar interesin e tyre për një kauzë më të madhe. “Pra, liderët e mëdhenj janë aq të dedikuar ndaj parimeve të tyre dhe aq të vendosur për t’i mbrojtur ato në mënyrën më të mirë, sa që janë të gatshëm të sakrifikojnë interesin e tyre personal”

Si shembull të një lideri të mirë dhe të madh, kryeministri Kurti në fjalën e tij, veçoi presidentin e 16-të të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Abraham Lincoln.

Ai gjithashtu foli edhe për punën dhe kontributin e Qeverisë në nxitjen dhe përgatitjen e liderëve të së ardhmes të cilët janë efektiv në mënyrë pragmatike dhe moralisht parimor.

Sipas kreut të Qeverisë, Kosova gjatë dy viteve me qeverisjen e tij ka bërë përparim të njohur ndërkombëtarisht në fushat e të drejtave të njeriut, demokracisë dhe sundimit të ligjit.

“Në dy vjet e gjysmë në detyrën tonë të deritanishme, ne kemi bërë përparim të njohur ndërkombëtarisht në fushat e të drejtave të njeriut, demokracisë dhe sundimit të ligjit. Këtë vit, Freedom House e renditi Kosovën në vendin e tretë në mbarë botën për progresin demokratik nga viti në vit. Projekti Botëror i Drejtësisë e ka renditur Kosova të parën në Ballkanin Perëndimor për sundimin e ligjit dhe të dytin në botë për përmirësimin më të madh në fushën e sundimit të ligjit gjatë vitit 2022. Në Indeksin e Perceptimit të Korrupsionit të Transparency International, ne jemi përmirësuar për 20 vende në dy vitet e fundit. Ne jemi përmirësuar gjithashtu për 22 vende në Indeksin e Lirisë së Shtypit të Reporterëve pa Kufij dhe jemi renditur të parët në Ballkanin Perëndimor në Indeksin e Demokracisë Zgjedhore të Institutit VDM. Raporti i Komisionit Evropian për vitin 2022 konfirmon se Kosova ka rritur përpjekjet e saj për të luftuar korrupsionin dhe për të forcuar demokracinë dhe sundimin e ligjit. Me fjalë të tjera, tani më shumë se kurrë, ne po demonstrojmë se është e mundur të drejtohet vendi në mënyrë efektive dhe morale” tha ai.

Në fjalën e tij, Rektori i UBT-së, Edmond Hajrizi tha se këtë vit është integruar po ashtu dhe një konferencë tjetër, ajo për lidership, duke kompletuar kështu kornizën e fushave dhe temave që ndërlidhen me inovacionin, lidershipin, biznesin dhe qëndrueshmërinë, duke krijuar një ekosistem për të cilën UBT angazhohet të zhvillojë dhe prezantojë.

“Jam i nderuar t’ju mirëpres në Konferencën e UBT-së me fokus në reziliencë, inovacion dhe qëndrueshmëri. Objektivi kryesor është të krijojmë një mjedis me qasje ndërdisiplinore. Falënderoj të gjithë ata që e kanë bërë më madhështore këtë hapje të kësaj konference me praninë e tyre, përfshirë stafin akademik, partnerët universitarë nga pesë kontinente dhe qeverinë. Do të reflektojmë bashkë në 25 nënkonferenca dhe do të ndërveprojmë duke promovuar publikime të ndryshme”, ka thënë Rektori Hajrizi.

Profesori nga Universiteti i Harvardit, Hugh O’Doherty, ka theksuar rëndësinë e lidershipi dhe dallimit midis lidershipit dhe autoritetit. Sipas tij, lidershipi ka të bëjë me llojin e sfidave me të cilat ballafaqohemi, dhe ai bën një dallim ndërmjet problemeve teknike dhe atyre që kërkojnë adaptim dhe zgjidhje të reja.

“Lidershipi ka të bëjë me llojin e sfidave që përballemi. Dua të bëj një dallim mes problemeve teknike dhe atyre të adaptueshme. Ndërsa, një pikë tjetër e rëndësishme është që lidershipi dhe autoriteti nuk janë të njëjtë, dhe ndonjëherë koncepti i udhëheqjes ngatërrohet me autoritetin. Gjithashtu, është e rrezikshme të udhëheqësh, veçanërisht nga një pozicion i autoritetit. Përfundimisht, lidershipi është i pavlefshme pa një qëllim të qartë”, ka thënë profesori Hugh Doherty.

Mbi 25 nënkonferenca do të karakterizojnë edicioni i 12-të të Konferencës Ndërkombëtare të UBT-së, teksa Konferenca për Lidership do të ketë sesione dhe panele të ndryshme me ekspertë vendorë dhe ndërkombëtarë.

Të ngjashme