Kurti vizitoi një kompani në Viti, përfituese e masës 2.1 të Pakos së Ringjalljes Ekonomike

Prishtinë | 19 Dhj 2023 | 17:57 | Nga Ekonomia Online

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, e ka vizituar kompaninë “Euro Fisi” në Viti, kompani kjo e cila është përfituese e masës 2.1 të Pakos për Ringjallje Ekonomike.

Sipas komunikatës së Qeverisë, Kurti i shoqëruar edhe nga ministrja e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë, Rozeta Hajdari, patën disa vizita në këtë qytet ku një ndër ndalesat e ditës së martë patën në kompaninë “Euro Fisi” në qytetin e Vitisë, cila është edhe përfituese e masës 2.1 për subvencionimin e kredive investuese, në kuadër të Pakos së Ringjalljes Ekonomike.

“Euro Fisi, e themeluar në vitin 1995, e që ndër vite është zgjeruar në hapësirë e treg, merret kryesisht me prodhimin e materialeve të ndryshme për ndërtimtari dhe termoizolime.

Aktualisht ka rreth 100 punëtorë.

Produktet e kompanisë Euro Fisi eksportohen në shumë vende, duke filluar që nga shtetet përreth Kosovës si Shqipëria, Mali i Zi, Maqedonia e Veriut e Serbia, për të vazhduar tutje edhe në vendet tjera të Evropës si në Bullgari, Greqi, Kroaci, Itali, Austri, Gjermani dhe Belgjikë.

Kryeministri Kurti i përgëzoi drejtuesit e kompanisë për numrin e lartë të punëtorëve, sukseset e vazhdueshme, makinerinë moderne prodhuese, dhe rezultatet në eksport.

Harta e eksporteve të Euro Fisi-it është me të vërtetë mbresëlënëse dhe është shembull se si një ndërmarrje rritet, zgjerohet edhe për nga prodhimtaria si vëllim, por edhe për nga produktiviteti i mallrave të cilat i shet qoftë këtu, por sidomos atyre që i eksporton, tha kryeministri”, thuhet në komunikatën e Qeverisë.

Të ngjashme