Ministrja e Industrisë, Ndërmarrësisë,Tregtisë dhe Inovacionit, Mimoza Kusari-Lila, ka deklaruar se zgjidhja e situatës politike në vend është e mundur nëse ekziston vullneti për kompromis dhe konsensus ndërmjet partive politike, raporton Ekonomia Online.
Duke folur për paralajmërimet për një zgjidhje të jashtëzakonshme dhe kërkesën për një projektligj lidhur me Dhomat e Specializuara të Kosovës, Kusari-Lila ka kërkuar që hapat e ardhshëm të jenë të menduar mirë, veçanërisht për shkak të afateve që lidhen me zgjedhjen e presidentit dhe proceset në Hagë.
“Mendoj se kur ka vullnet, ka edhe zgjidhje. Megjithatë duhet pasur shumë kujdes që zgjidhjet të cilat lidhen me këto afate që rastësisht mund të jenë të ndërlidhura, do të thotë zgjedhja e presidentit edhe kërkesa e Partisë Demokratike, duhet të jenë të menduara mirë. Mos të harrojmë, afati për të apeluar aktgjykimin e tmerrshëm të Dhomave të Specializuara në Hagë është 30 ditë pas prezantimit apo publikimit, in fact ende se është publikuar në tërësi, por njoftimit për vendimin. Dhe 30-ditëshi përkundrejt 6 tetorit që është përcaktuar nga Gjykata Kushtetuese, 30-ditëshi për dorëzimin e apelit është 16 tetori, pas të cilit janë edhe 60 ditë të tjera për t’u targetuar në tërësi lënda e prezantuar që vjen pas 10 vjetëve.
Do të thotë ne duhet të kemi parasysh që në nguti dhe në këtë, si të thuash, ndërlidhje të këtyre afateve që po duken natyrshëm të ndërlidhura, por që është shumë e rëndësishme një gjë ta kemi të përbashkët. Dhe emëruesi i përbashkët duhet të jetë që të evitohen zgjedhjet.
Si evitohen zgjedhjet? Që vendi duhet të ketë një president deri më 6 tetor. Për të pasur vendi një president deri më 6 tetor, e para dhe më e rëndësishmja është që partitë të kenë një konsensus për një kandidat konsensual dhe pastaj të gjitha bashkë në punën e përbashkët, të kujdesshme, të rëndësishme për ligjin për Dhomat e Specializuara, në mbështetjen e ekipit për ekipe mbrojtëse për apelin, i pari afat 16 tetori, i dyti afat 15 dhjetori kur kjo lëndë duhet të dorëzohet në tërësi pranë Dhomave të Specializuara të Apelit në Hagë. Do të thotë kemi të bëjmë me afate koncize, kemi të bëjmë me presion, por edhe një herë po e ripërsëris: emëruesi i përbashkët për interesin e përgjithshëm të Republikës është mosshkuarja në zgjedhje. Do të thotë gjetja e zgjidhjeve dhe këto mund të përcaktohen, programohen njëpasnjë me hapa të kujdesshëm, me mirëbesim, me mirëbesim në mes të palëve, natyrisht që të gjithë e kemi qëllimin e njëjtë”, ka thënë Kusari-Lila.
E pyetur nëse kryeministri Albin Kurti do t’i ftojë sërish liderët politikë në takime dhe nëse ka pasur gatishmëri për takim edhe me kryetarin e LDK-së, Lumir Abdixhiku, Kusari-Lila ka thënë se për këtë çështje duhet kontaktuar Zyra e Kryeministrit.
Megjithatë, ajo ka theksuar se vullneti për takime dhe vendimmarrje të përbashkët ka ekzistuar dhe duhet të vazhdojë.
“Për këtë drejtohuni Zyrës së Kryeministrit, por po, vullneti ka qenë, është dhe do të jetë edhe në të ardhmen. Përveçse me takime, me vendime të përbashkëta nuk ka zgjidhje tjetër. Do të thotë nuk ka mundësi tjetër të arritjes së pajtueshmërisë përveçse në takime të përbashkëta në mes të liderëve politikë.
Dhe prandaj edhe kjo periudhë kohore është shumë e rëndësishme. Nëse asgjë tjetër, deri më 6 duhet të ketë dakordim për presidentin, dakordim për vendimet dhe hapat e radhës për miratimin e projektligjit dhe natyrisht edhe koordinimin për asistencën për ekipet mbrojtëse në Hagë”, është shprehur ajo.
Kusari-Lila është pyetur edhe nëse ekziston ndonjë sinjal se drafti për Dhomat e Specializuara, i cili tashmë ndodhet në Qeveri, do të dërgohet në Kuvend në ditët në vijim, ashtu siç ka kërkuar Partia Demokratike e Kosovës.
Ajo ka thënë se fillimisht Qeveria duhet të japë qëndrimin dhe komentet e saj për draftin, ndërsa ka theksuar se nuk mund të japë vlerësim për përmbajtjen e tij, pasi nuk e ka parë dokumentin dhe çështja nuk është në fushën që ajo drejton.
“Por mendoj se e para është Qeveria të përgjigjet për draftin që është në Kuvend, do të thotë duhet të japin komentet e veta. E dytë, duhet në përmbajtje natyrisht të komentohet. Unë nuk mund të marr tashmë lirinë të komentoj për shkak se nuk e kam parë atë draft dhe nuk është në fushën që unë drejtoj.
Do të thotë është çështje ligjore shumë më tepër komplekse ndoshta sesa që mund t’i japim liri vetes të komentojmë, por shumë është e rëndësishme që ka nevojë që të shqyrtohet përmbajtësisht dhe natyrisht që t’i ofrohen të gjitha mundësitë që sa më mbarë kjo të vazhdohet me procedimin e mëtejshëm.
Natyrisht synimi i përbashkët është lirimi i plotë i katër liderëve të ish-liderëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, por gjithashtu edhe një ridraftim komplet dhe rivendosje e pozicionit që deri më tash kanë mbajtur Dhomat e Specializuara në Hagë”, ka deklaruar Kusari-Lila.
Ministrja është pyetur edhe për çmimin e naftës në Kosovë dhe diferencën me Maqedoninë e Veriut, ku sipas pyetjes së gazetares qytetarët në Kosovë po paguajnë rreth 30 centë më shumë për litër.
Kusari-Lila ka thënë se çmimi në Kosovë përcaktohet në bazë të çmimit të importit dhe sasisë së derivateve që importohen, ndërsa Ministria, sipas saj, po e përcjell çdo ditë edhe marzhën e fitimit të kompanive importuese dhe atyre që merren me tregti me shumicë dhe pakicë.
“Në Kosovë sot çmimi i përcaktuar i naftës dhe derivateve të saj është çmimi i cili përcaktohet nga importi, rrjedhimisht nga sasia e… nga çmimi dhe sasia e derivateve që importohen çdo ditë. Ne jemi duke e përcjellë në bazë ditore edhe marzhën e fitimit për bizneset importuese dhe ato domethënë të tregtimit me shumicë dhe me pakicë. Dhe nëse këto ditë, 2-3 ditët e fundit ka pasur një stabilizim të çmimit të naftës, sikur të kishim marzhën, do të thotë pak a shumë çmimi sillet në të njëjtin rang, përveçse në kompanitë të cilat kanë çmime më të larta, qytetarët mund të zgjedhin të mos blejnë tek ato me çmim më të ultë të cilat i afrohen me të njëjtë sikur të kishim marzhën. Ne jemi duke e shqyrtuar me kujdes. Nëse kemi edhe pak ditë në të cilat vazhdon çmimi i njëjtë apo i ulur dhe çmimi në treg nuk ulet, atëherë do t’i rikthehemi përcaktimit të çmimit tavan për naftën dhe derivatet e saj”, ka thënë ministrja.
