Ministrja në detyrë e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë, Mimoza Kusari-Lila, ka reaguar pas përplasjeve dhe tensioneve të krijuara në Kuvendin e Kosovës, duke i cilësuar ato si të papranueshme dhe në kundërshtim me imazhin që qytetarët dhe diaspora meritojnë të shohin.
Në një postim, Kusari-Lila ka bërë thirrje për vetëpërmbajtje dhe përgjegjësi nga deputetët, duke kërkuar nga liderët e partive politike që t’u kërkojnë përfaqësuesve të tyre të shmangin çdo formë të dhunës apo sjelljes që cenon dinjitetin e Kuvendit dhe integritetin e deputetëve.
“Përplasjet, fyerjet dhe çdo formë e sjelljes së dhunshme në sallën e Kuvendit janë të papranueshme dhe të paarsyetueshme, pavarësisht dallimeve politike”, ka shkruar ajo.
Kusari-Lila ka vlerësuar se presioni, sulmet verbale dhe fizike për të mundësuar zhvillimin e seancave janë kundërproduktive dhe krijojnë pamje të panevojshme në institucionin që duhet të jetë shembull i debatit demokratik.
Ajo u ka bërë thirrje liderëve politikë që të ulen në një tryezë të përbashkët për të gjetur një zgjidhje për ngërçin politik, duke theksuar nevojën për vullnet politik, përgjegjësi dhe kompromis në interes të vendit.
Sipas saj, për tejkalimin e krizës duhet të kërkohet edhe mbështetja e shoqërisë civile dhe sferës akademike, me qëllim krijimin e hapësirave të reja për dialog dhe mirëkuptim.
“Kosova ka nevojë për më shumë përgjegjësi politike dhe më pak përplasje. Për më shumë dialog dhe më pak zhurmë. Është koha ta dëshmojmë këtë me veprime”, ka përfunduar Kusari-Lila.